Bashkëpunimi akademik Shqipëri–BE forcohet përmes projektit “Commo VII”: Pedagogu Elton Musa leksion të hapur në Universitetin e Salentos
Projektet e përbashkëta ndërmjet universiteteve shqiptare dhe atyre të vendeve të Bashkimit Evropian po krijojnë mundësi të reja për shkëmbime akademike, rritje të cilësisë në arsim dhe ndarje të praktikave më të mira në mësimdhënie e kërkim shkencor.
Në kuadër të projektit “Commo VII”, një bashkëpunim ndëruniversitar mes Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD) dhe Universitetit të Salentos në Lecce, Itali, Dr. Elton Musa, pedagog i të drejtës tregtare pranë Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike të UAMD, mbajti një sërë leksionesh të hapura me studentë dhe kolegë italianë.
Një nga leksionet më të vlerësuara ishte ai me temë: “Tregu i brendshëm i Bashkimit Evropian: Sfida dhe zhvillime”, ku Dr. Musa u ndal te konceptet kryesore që përbëjnë bazën e funksionimit të tregut të përbashkët evropian, si lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve, kapitaleve dhe shërbimeve.
Gjatë ligjërimit, ai theksoi barrierat fizike, fiskale dhe teknike që hasen në funksionimin e tregut të brendshëm dhe solli shembuj konkretë për të ilustruar sfidat dhe arritjet e deritanishme të BE-së në këtë drejtim. Leksioni u shoqërua me diskutime të hapura dhe pyetje nga studentët, duke nxitur një dialog të frytshëm akademik.
Ky bashkëpunim është pjesë e një strategjie më të gjerë të UAMD-së për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, përmes shkëmbimit të stafit akademik, përvojave mësimdhënëse dhe ndërtimit të urave të qëndrueshme bashkëpunimi me universitetet evropiane.
Dr. Musa ishte gjithashtu pjesë e delegacionit të Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike, të kryesuar nga dekani Prof. Asoc. Dr. Linert Lirëza, në vizitën zyrtare në Universitetin e Valetës, Maltë, me qëllim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve akademike mes institucioneve.