Ballina Politika Si i bleu Rama Xhindolët e Lushnjes

Si i bleu Rama Xhindolët e Lushnjes

0
60

Në dhjetor të vitit të kaluar, Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor, shpalli një Ftesë për Ofertë, për të shkëmbyer pronën e kontrollit fizik të automjeve në Lushnje me një pronë të re.

Godina ekzistuese e kolaudimit të automjeteve, pjesë e një prone me sipërfaqe 3260 metër, ndodhet në afërsi të Qendrës së qytetit, saktësisht në kryqëzimin e rrugës Vath Korreshi me rrugën Sulejman Delvina. Pas zhvillimit të procedurës, fitues u shpall kompania Përpunim Mermer Granit shpk, që zotërohet nga biznesmenët Agim, Darien dhe Tomorri Xhindoli.

Kjo kompani do të përfitojë pronë me gjithë ndërtesat dhe në këmbim do të ofrojë një qendër të re të kontrollit teknik të automjeve, por jashtë qytetit. Bëhet fjalë për një pronë me sipërdaqe rreth 3500 metër që gjendet në kryqëzimin mes rrugës Sabri Kosturi dhe Bypassit të Lushnjes.

Vendi ku do te ndertohet kolaudimi i ri i Lushnjes

DPSHTRR kishte investuar qindra milionë lekë në qendrën ekzistuese të kontrollit teknik të automjeteve në Lushnje. Por befas vendosi ta dhurojë atë për të marrë një degë të re në një vend tjetër.

“Vjet ndërpremë investimin rikualifikues të QKT Lushnje sepse në kushtet ekzistuese nuk plotësonte parametrat e sigurisë dhe dimensionet e domosdoshme funksionale, duke i hapur rrugë negocimit për një marrëveshje shkëmbimi nga e cila do të përfitojmë pa asnjë impenjim financiar, një qendër tërësisht të re, me standarde optimale shërbimi,” pati deklaruar DPSHTRR kur shpalli procedurën e shkëmbimit.

Kompania e Xhindolëve do të ndërtojë me paratë e veta një kapanon të ri për kontrollin e mjeteve jashtë qytetit duke përfituar kështu komplet godinën ekzistuese dhe pronën rreth saj.

Kjo është vetëm një nga bizneset fitimprurëse të Xhindolëve me qeverinë e Edi Ramës. Përveç kësaj, ata kanë përfituar prona dhe leje ndërtimi për central diellor si dhe një sërë kontratash publike.

Darien Xhindoli, njëri nga aksionerët e kompanisë “Përpunim Mermer Granit”, në vitin 2015 ishte kandidat i Partisë Demokratike për bashkinë e Lushnjes, një privilegj ky që nuk u takon shumë njerëzve. Por familja e tyre me sa duket ndërroi krah, kur xhaxhai i tij, Agim Xhindoli, u shfaq në podcastin e kryeministrit Edi Rama.

Edhe kjo intervistë nuk i shpëtoi taktikës tashmë bajate të kryeministrit, ku biznesmenët të cilët i ka futur në xhep, i prezanton si të djathtë. Edhe zoti Xhindoli u prezantuar nga kryeministri si një demokrat i flaktë, por që ishte duke reflektuar.

Menjëherë pas intervistës me Ramën, dyert e shtetit për Xhindolët u hapën si me magji. Një javë pas daljes në Podcast, qeveria vendosi të miratojë lejen e ndërtimit për një central me fuqi 10 mega për kompaninë tjetër të familjes, 5GX Energy. Toka prej 5 hektarësh mbi të cilën shtrihet ky central u mor me qira nga shteti me një çmim prej 28 mijë lekë për hektarë.

Ndërsa vetëm pak muaj më parë, kompania mori leje ndërtimi për një komples vilash në Livadh të Himarës, bashkë me biznesmenin Mentor Mezini.

Bizneset e ish kandidatit demokrat të Lushnjes po lulëzojnë me bekimin e Edi Ramës. Nga lejet qeveritare, tek pronat shtetërore. Por një gjë është e sigurtë. Edhe në podcastin e radhës, Edi Rama sërish ka për ta prezantuar si demokrat, Agim Xhindolin./Kapital