Koreja e Veriut ka arrestuar tre zyrtarë të një kantieri detar për fundosjen e anijes luftarake. Gjatë ceremonisë së lëshimit të luftanijes pesë mijë tonëshe, pjesë të poshtme të trupit të saj u dëmtuan, duke e bërë atë të humbasë ekuilibrin dhe të anohet në ujë. E gjitha ndodhi në sy të udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili e cilësoi incidentin si një “akt kriminal”.
Agjencia zyrtare e lajmeve në vend bëri të ditur se të ndaluarit janë inxhinieri kryesor i kantierit verior në Chongjin, ku u ndërtua anija, drejtuesi i ndërtimit dhe një përgjegjës administrativ. Sipas raportit, këta tre persona mbajnë përgjegjësi për incidentin.
Të premten, KCNA raportoi se edhe drejtori i kantierit, Hong Kil Ho, është marrë në pyetje nga autoritetet ligjzbatuese. Pamjet satelitore treguan anijen e anuar dhe të mbuluar me mushama blu, ndërsa një pjesë e saj dukej se ishte mbi tokë.
Kim Jong Un deklaroi se aksidenti ishte pasojë e “neglizhencës absolute dhe e papërgjegjshmërisë”. Ai kërkoi ndëshkime të rënda për përgjegjësit, të cilët sipas tij, nuk u treguan aspak të kujdesshëm duke nëpërkëmbur dinjitetin kombëtar.
Ky incident vjen disa javë pasi Koreja e Veriut prezantoi një tjetër luftanije, “Choe Hyon”, që Kim e quajti një “përparim” në modernizimin e marinës dhe që pritet të vihet në përdorim në fillim të vitit të ardhshëm.