Pas një vonese prej gjashtë vjet, India më në fund është gati të numërojë popullsinë e saj në një regjistrim dyfazësh që do të përfundojë në vitin 2027, ka njoftuar qeveria, sipas BBC.
Regjistrimi dhjetëvjeçar i Indisë është një nga ushtrimet më të mëdha administrative në botë dhe ofron të dhëna thelbësore për planifikimin e skemave të mirëqenies, ndarjen e fondeve federale, përcaktimin e kufijve elektoralë dhe marrjen e vendimeve kryesore politike.
Ai ishte planifikuar fillimisht për në vitin 2021, por është shtyrë disa herë që atëherë. Regjistrimi i fundit u krye në vitin 2011.
Qeveria e kryeministrit Narendra Modi fillimisht e kishte cituar pandeminë e Covid-19 si arsyen kryesore për vonesën, por kritikët kanë ngritur pikëpyetje se çfarë e ka penguar rifillimin e këtij procesi për kaq shumë kohë.
Të mërkurën, Ministria e Brendshme e Indisë deklaroi se regjistrimi i shumëpritur do të zhvillohet në dy faza, me 1 mars 2027 si datën referente.
Për rajonet e mbuluara nga bora në Himalaje, që përfshijnë shtetet Uttarakhand dhe Himachal Pradesh, si dhe rajonet e Ladakh dhe Jammu e Kashmir, data referente do të jetë 1 tetor 2026.
Megjithatë, nuk u specifikua se kur do të fillojë në fakt anketimi.
Për herë të parë, qeveria do të mbledhë gjithashtu të dhëna mbi përkatësinë kastore – një çështje politike dhe sociale shumë e ndjeshme në Indi – për të gjithë qytetarët, thuhej në deklaratë.
Herën e fundit që kasti u përfshi zyrtarisht në regjistrimin kombëtar ishte në vitin 1931, gjatë sundimit kolonial britanik.
Regjistrimi i Indisë kryhet sipas Aktit të Regjistrimit, 1948, i cili ofron një kornizë ligjore për kryerjen e këtij ushtrimi, por nuk specifikon një afat të caktuar se kur duhet të kryhet regjistrimi ose kur duhet të publikohen rezultatet e tij.
Në vitin 2020, India ishte gati të niste fazën e parë të regjistrimit – në të cilën mblidhen të dhëna për banesat – kur shpërtheu pandemia, pas së cilës qeveria e shtyu ushtrimin.
Në vitet që pasuan, qeveria e shtyu më tej procesin disa herë pa dhënë ndonjë shpjegim, edhe pse jeta ishte kthyer në normalitet.
Ekspertët kanë folur për pasojat që kjo mund të ketë për vendin më të populluar në botë – si përjashtimi i njerëzve nga skemat e mirëqenies dhe shpërndarja e pasaktë e burimeve.
“Regjistrimi nuk është thjesht një numërim i njerëzve në një vend. Ai ofron të dhëna të paçmueshme që nevojiten për të marrë vendime në nivel mikro”, kishte thënë profesor KP Kannan, një ekonomist zhvillimi.