Stërvitja shumëkombëshe e udhëhequr nga SHBA, “Defender Europe 2025”, 2 ditë nga fundi në fazën e saj “Immediate Response”, (Përgjigje e Shpejtë), zbarkoi në Bizë.
Forcat e Armatosura Shqiptare dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me partnerët amerikanë treguan muskujt. Disa demonstrime u bënë, nga toka dhe ajri. Drejtuesi i stërvitjes, kolonel Genti Bardhi sqaron hap pas hapi manovrat e situatës së simuluar.
‘Aktualisht jemi duke ndjekur një strukturë të zbulimit që po patrullon në zonën e operacionit dhe ka një rrezikshmëri të lartë sigurisht. Jemi përpara një force armike dhe sapo ka rënë në kontakt.
Duke qenë se armiku është në një përmasë goxha të madhe, siç e shikoni, këto forca zbulimi po përpiqen të tërhiqen, po zhvillojnë tërheqjen dhe aktualisht po zhvillojnë tërheqje nga forca ajrore.
Kemi në ajër 2 helikopterë ushtarakë, njëri bënë sigurimin e zonës së operacionit, ndërsa tjetri po bën tërheqjen e personelit që ka rënë në kontakt. Ka filluar lëvizja e trupave dhe kemi strukturat e Forcave të Armatosura të cilat aktualisht janë duke zhvilluar një operacion mësymës kundër armikut’, tha kolonel Genti Bardhi, drejtues i stërvitjes.
Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Shqiptare zhvilluan qitje me mortaja, duke realizuar me sukses kapjen e objektivit më shumë se 2 km larg.
‘Sot kemi bërë një qitje direkte dhe qitje indirekte me mortaja. Qitja indirekte u zhvillua me 28 predha’, nëntoger Shpëtim Hasani, oficer i FSK.
Për drejtorin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Arben Lilo, kjo stërvitje që angazhoi rreth 1500 forca shqiptare, realizoi objektivat.
‘Stërvitja ka qenë shumë e suksesshme pasi ka arritur të përmbush të gjitha objektivat e stërvitjes dhe objektivat e trajnimit që priteshin prej saj’, tha ai.
Në një kohë kërcënimesh reale në kufirin lindor të NATO-s, mesazhi kryesor i stërvitjes, ndaj kundërshtarëve potencialë, është se Aleanca është e bashkuar, e gatshme dhe e aftë për të mbrojtur çdo pjesë të territorit të saj.