Ballina Kulturë Sot, më 9 Qershor, kujtojmë me nderim dhe mall 99-vjetorin e lindjes...

Sot, më 9 Qershor, kujtojmë me nderim dhe mall 99-vjetorin e lindjes së kompozitorit të shquar shqiptar, Tonin Harapi, i paharruar

9
0

Fëmijërinë dhe rininë e hershme e kaloi në qytetin me tradita të pasura muzikore – Shkodrën. Pikërisht aty, mes tingujve të trashëguar brez pas brezi, ai u formua nën ndikimin dhe udhëzimin e figurave të ndritura si Palokë Kurti, Frano Ndoja, Martin Gjoka, Mikel Koliqi, Zef Shestani, Prenk Jakova – të cilët jo vetëm ishin udhëheqësit shpirtërorë të muzikës shkodrane, por edhe mësuesit dhe frymëzuesit e parë të Harapit.

Në kohën që studionte në Seminarin Papnor të Shkodrës, ai ushtrohej si instrumentist në formacione orkestrale që drejtoheshin nga këta mjeshtër.

Por pas Luftës së Dytë Botërore, kur kleri u përjashtua nga veprimtaria shkollore dhe artistike, Tonin Harapit iu desh të vazhdonte studimet muzikore në mënyrë autodidakte – vetëm me pianon e tij dhe pasionin e pashuar për artin.

Në vitin 1947 nisi studimet në Liceun Artistik në Tiranë me pedagogë të njohur të kohës si Lola Gjoka, Tonin Guraziu, dhe Kostandin Trako. Ai nuk ndaloi së studiuari as gjatë shërbimit ushtarak në Shkodër dhe Gjirokastër, duke punuar pa pushim mbi veprat e tij.

Më në fund, në vitin 1959, iu dha mundësia të ndiqte studimet e larta në Konservatorin e famshëm “Çajkovski” në Moskë – por, për fat të keq, qëndrimi i tij atje zgjati vetëm dy vite.

Tonin Harapi la pas një trashëgimi të paçmuar muzikore që vazhdon të frymëzojë brezat. Emri i tij është pjesë e pandashme e historisë së muzikës shqiptare.
I paharruar qoftë kujtimi yt, Mjeshtër!