Ballina Politika Zgjedhjet e 11 majit/ Berisha publikon dëshmitë: Ja si u mblodhën kartat...

Zgjedhjet e 11 majit/ Berisha publikon dëshmitë: Ja si u mblodhën kartat e identitetit të pensionistëve

27
0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar një tjetër rast që, sipas tij, tregon manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit 2025. Në një deklaratë publike, Berisha akuzon qeverinë se po mbledh kartat e identitetit të pensionistëve me qëllim që ata të mos kenë mundësi të votojnë.

Sipas tij, ky është një veprim i organizuar nga punonjës të shtetit me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Berisha e cilësoi procesin zgjedhor si një farsë elektorale të organizuar nga qeveria, duke theksuar se përveç përdorimit të fondeve publike dhe presioneve të ndryshme për blerje votash, janë aplikuar edhe metoda kriminale për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve.

Ai publikoi një rast konkret nga fshati Barbullush, ku një punonjës poste, Besmir Lepi, dyshohet se ka mbledhur kartat e identitetit të pensionistëve me justifikimin se do t’u dorëzonte pensionet. Kartat nuk janë kthyer, duke i pamundësuar qytetarëve të votojnë.

Berisha theksoi se ky fenomen është përhapur në mënyrë masive dhe bëri thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë për të ndaluar këto praktika që, sipas tij, dëmtojnë rëndë të drejtën kushtetuese të votës.

Në një pjesë nga denoncimi i tij, qytetarët Lodovik dhe Marie Rrethi pohuan se kartat e tyre të identitetit u janë mbajtur nga punonjësi i postës dhe se, pavarësisht kërkesave të tyre, ato nuk janë kthyer. Qytetarët shprehën shqetësimin se pa kartat nuk mund të marrin pjesë në votim.

Berisha u shpreh se këto veprime janë pjesë e një skeme kriminale të organizuar për të kontrolluar rezultatin zgjedhor dhe akuzoi Edi Ramën se është i gatshëm të përdorë çdo mjet për të ruajtur pushtetin.

Në përfundim, përfaqësuesi i PD-së në Shkodër, Gentian Ndoj, kërkoi që organet ligjzbatuese të veprojnë menjëherë ndaj rasteve të tilla, të cilat sipas tij përbëjnë krim zgjedhor dhe cenojnë procesin demokratik.

Pjesë nga deklarata e Sali Berishës:

“Sot, përsëri jam këtu për farsën e shëmtuar elektorale të narksoshtetit të 11 Majit 2025.

E vërteta është se farsa siç po provojmë çdo ditë me fakte, është tërësisht një proces kriminal nga alfa tek omega e saj.

Për Edi Ramën dhe narkozyrtarët e tij, nuk kanë mjaftuar përdorimi i 76 milionë eurove, 100 euro për çdo pensionist për të blerë vota. Nuk kanë mjaftuar 200 milionë euro gjoba dhe kamata të falura 2 ditë para zgjedhjeve. Nuk kanë mjaftuar 500 milionë euro prokurime tek oligarkët e tij për të blerë vota. Nuk kanë mjaftuar dhjetëra mijëra punësime për vota. Nuk kanë mjaftuar 29 mijë hektarë kanabis në të cilat mbillen së paku 100 milionë rrënjë kanabis. Nuk kanë mjaftuar dhjetëra mijëra leje legalizimesh, ndërtimi, certifikata pronësie, duke përdorur fuqinë ekzekutive në fushatë elektorale. Nuk ka mjaftuar organizimi i mbi 4500 aktiviteteve në periudhën katërmujore elektorale për të ndikuar tek zgjedhësit.

Por ai ka urdhëruar edhe metoda të tjera kriminale sepse Edi Rama është i gatshëm të marrë çdo vendim, të urdhërojë çdo akt dhe çdo veprim për të ruajtur karrigen e tij të krimit.

Këtu është dëshmia tronditëse se si narkobanditi, punonjësi i shtetit, shkon dhe mbledh kartat e identitetit të qytetarëve, me pretekstin se do i disbursojë pensionin dhe kartat ua mban, duke ditur bindjet e tyre politike, që ata të mos votojnë.

Unë dua të përshëndes këtë çift të moshuar, por njerëz kurajozë, që e denoncuan haptas këtë akt të përsëritur me mijëra e mijëra raste.

Ju, është bërë tashmë e njohur, se një nga detyrat kryesore të punonjësve, është mbledhja e kartave të identitetit, gjer në 20 të tilla, në mënyrë që narkoqeveria të blejë të drejtën e votës ose t’i përdorë ato me emra të tjerë. Kjo është histori tjetër.”