Ballina Kosovë Përcillet drejt banesës së fundit ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi. Vajza: të...

Përcillet drejt banesës së fundit ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi. Vajza: të luftosh për të jetuar do të thotë të jetosh si njeri i lirë në mendje

47
0

Është përcjellë sot drejt banesës së fundit ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi.

Ceremonia mortore u mbajt në Kompleksin e Dëshmorëve në Velani, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka mbajtur edhe një fjalim, duke vlerësuar figurën e Bukoshit si “kryeministri i parë dhe i fundit i Republikës së Kosovës që funksiononte si republikë rezistencë.”

“E nderuara familje e doktorshit, ish kryeministër i Republikës së Kosovës, posaçërisht e nderuara bashkëshorte, doktoresha Zana dhe vajzat Oda, Shorta, Mita, të nderuar miq, dashamirë, kolegë e bashkëpunëtorë të doktor Bujarit, të nderuar të pranishëm, jemi mbledhur këtu sot bashkë që t’ia japim lëmë të mirën e fundit doktor Bujar Bukoshit, kirurgut të shquar, por mbi të gjitha kryeministrit të parë dhe të fundit të Republikës së parë të Kosovës që funksiononte si republikë rezistencë.

Doktor Bujarin e karakterizonte guximi i paepur dhe dashuria e pafund. Si kombinim i këtyre dy vlerave të tij, ai pranoi detyrën në 12 tetor të vitit 1991 nga presidenti historik Ibrahim Rugova, që të jetë kryeministër i Kosovës.

Për një dekadë e udhëhoqi qeverinë e Republikës në ekzil. Me këtë rast punoi e kontribuoi aq shumë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, posaçërisht për të vërtetën e Serbisë në Kosovë, si një shtet pushtues, agresor, por edhe shovinist antihqiptar.

Shkelja e të drejtave të njeriut, të drejtave qytetare dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës filloi që të jehojë në mediat evropiane dhe në kancelaritë botërore, duke iu falënderuar në veçanti ish-kryeministrit Bujar Bukoshi dhe bashkëpunëtorëve të tij të qeverisë.

Por doktor Bujari ishte aktiv edhe në Kosovë, ndonëse nuk ndodhej në Kosovë. Arsimi në shqip, i cili ishte në ballë të rezistencës, asistenca sociale, shëndetësia, mirëmbaheshin nëpërmjet këshillave dhe nënkëshillave të financimit që vepronin përditë anën e Bankës së Kosovës.”

Shota Bukoshi tha se vitet e fundit, kur ish-kryeministri po përballej me një sëmundje të rëndë, njohën një tjetër dimension të tij.

“Në vitet e fundit kur ai u përball me një sëmundje të rëndë, ne njohëm edhe një baba tjetër: luftëtarin që sfidonte sëmundjen me të njëjtën vendosmëri me të cilën përballonte vështirësitë që i sillte politika.

Deri në fund të jetës së tij, ai na tregoi se të luftosh për të jetuar, do të thotë të jetosh si njeri i lirë në mendje dhe të mos tërhiqesh përballë asnjë pengese”.

Ajo i falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan Bukoshin dhe familjen e tij në këto kohë.

“Në dhimbjen tonë, është një ngushëllim i madh të shohim se vepra e tij dhe kontributi i tij po vlerësohen”, tha Shota Bukoshi.

Bujar Bukoshi u nda nga jeta të martën, në moshën 78-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të pashërueshme