Nga Klodian Tomorri
Ilir Meta dhe Erion Veliaj mbahen në burg pa akuzë zyrtare.
Benet Becin, SPAK e paska marrë të pandehur zyrtarisht që në tetorin e vitit të kaluar duke i ngritur akuzë për shkelje të barazisë në tendera. (Edhe pse aty u rruajt 40 për qind e tenderit dhe kjo sikur i bie çikë si korrupsion, jo shkelje barazie).
Megjithatë zoti Beci vazhdon të jetë në detyrë, në krye të bashkisë më të rëndësishme të Veriut. Bota e çuditshme e drejtësisë. Nejse, punë juristësh kjo. Tani kemi dhe një problem tjetër.
Në prill, prokurori ka pasur afatin final për t’i dhënë drejtim çështjes së Becit. Ose ta mbyllte dhe të rrëzonte akuzën, ose ta çonte në gjyq.
Çfarë ka bërë prokurori?
Tre jave para zgjedhjeve, ka kërkuar zgjatje afati. Por pa zhurmë dhe pa njoftim fare, ndryshe nga sa ndodh zakonisht. Pra edhe zyrtarisht i pandehur, edhe zgjatje afati. Kohë fushatash dhe kohëra të çuditshme.
Këtë here, besoj se do thonë që e dakordësuam me FBI-në dhe partnerët amerikanë zgjatjen në heshtje të afatit të hetimeve. Se ishin disa profesorë të Harvardit aty, që morën dhe ata ca lekë tek ai tenderi.
“Është një 800-çe për t’u ndarë. 500 për profesorët, 300 për ne me dy klasë,” thoshte Vis Berberi me mesazh Becit. Dhe tenderi u bë fiks ashtu.
Pra, mosveprimi u dakordësua me FBI-në dhe partnerët amerikanë dhe nuk ka lidhje hiç me zgjedhjet.
Mirëpo këtu po na del një problem tjetër. Po na mbarojnë qeveritë e botës. Se për bandën e Durrësit na vonuan italianet. Këtu na vonoi FBI.
Ja do shtyjmë dhe nja dy-tre herë të tjera me gjermanët, anglezët dhe francezët. Pastaj do na zërë të themi që e dakordësuam me autoritetet kineze.
Tani pse është problem gjithë kjo histori? Nëse në një ndeshje futbolli, një lojtar është për të kuqe dhe arbitri nuk ia nxjerr, a quhet manipulim rezultati ky? Sigurisht qe po.
Atëherë pse nuk paska te drejte Berisha të thotë që zgjedhjet ne Shkodër u manipuluan kur kryetari i Bashkisë ishte për të kuqe?