Ballina Editorial Qeveria edhe Kuvendi shkojnë vetëm pas berihajt!

Qeveria edhe Kuvendi shkojnë vetëm pas berihajt!

64
0

Nga Irena Beqiraj

Në vitin 2016 në Ministrinë e Financave drejtorët e buxhetit vinin vërdallë si miza pa kokë! Në emër të pavarësisë së gjyqësorit, dinjitetit të magjistratëve, nga grupi i reformës në drejtësi kërkoheshin super paga për ta, duke kthyer përmbys gjithë piramidën e pagave.

Ministria e Financave e kohës argumentonte se formula e llogaritjes së pagës bazë të tyre ku referenca ishte një pagë që mund të ndryshonte në të ardhmen si ajo e drejtorit të departamentit në Kryeministri, jo vetëm do të kthehej në të ardhmen një barrë më e madhe se ajo që parashikohej aktualisht në buxhet, por do të shtonte hendekun në piramidën e pagave të sektorit publik .

Por siç thotë William Blake: ‘një budalla nuk shikon të njëjtën pemë që shikon një i mençur’, edhe siç ndodhte në çdo rast ‘harpagonët’ e Ministrisë së Financave ishin ‘budallenjtë’.

Ato nuk shikonin lulëzimin e pemës së drejtësisë së re, që duhej ujitur me çdo kusht me super paga.

Mjaftuan vetëm 7 vjet edhe në 2023 entuziazmi i reformës në drejtësi u shua edhe një reformë tjetër ndriçoi sytë e liderit tonë, ‘ajo e rritjes së pagave në administratë’. Kjo reformë rriti rrogën e drejtorit të departamentit në kryeministri nga 132 mijë lekë në 231 mijë lekë.

Me rritjen e saj duhet të rriteshin automatikisht edhe pagat e magjistratëve.

Avulli i dashurisë së maxhorancës për magjistratët kishte përfunduar, madje disa syresh nuk e meritonin zemërgjerësinë e kësaj maxhorance. Që magjistratët të mos e fitonin këtë rritje, qeveria filloi të ndryshojë atë që me aq shumë krenari, zjarr e ashk e kishte miratuar në 2016, ligjin për Statusin e Magjistratit.

Në vitin 2023 me anë të ligjit 33 ndryshoi ligjin 96/2016 dhe vendosi që llogaritja e pagës bazë së gjyqtarëve të bëhej mbi pagën 156 mijë lek, pikërisht me argumentet e MF në 2016-tën sepse prishej piramida e pagave rritej hendeku midis pagave në sektorin publik edhe buxheti i shtetit rëndohej shumë.

E pra pema që panë ‘harpagonët dritëshurtër’ të MF në 2016, edhe jo pema e entuziastëve të reformës në drejtësi, po lulëzonte. Barra në buxhet do të rritej në mënyrë të pakthyeshme sepse ‘përcaktimi i pagave të magjistratëve bazohej në nenin në nenin 138 të Kushtetutës, i cili garanton se pagat e gjyqtarëve nuk mund të ulen, duke përfshirë jo vetëm uljen numerike, por edhe çdo ndërhyrje që sjell ulje të fshehtë apo ngrirje të saj.

Vendimi nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese parashtron të njëjtat logjikë që parashtronte në 2016 në memot që qarkullonin në Ministrinë e Financave, kujdes me mënyrën sesi vendosni të llogarisni pagën e Magjistratit, sepse paga e magjistratit mbrohet me Kushtetutë.

Për më tepër në vendimin e saj GJK detyron qeverinë që në mënyrë të menjëhershme të rishikojë dispozitat e ndryshuara të ligjit për llogaritjen e pagës brenda afatit të përcaktuar deri më 31.7.2026.

Vendimi përcakton që formula e pagave të magjistratëve nuk mund të ketë një pagë bazë të pandryshueshme siç vendosi qeveria në 2023 por duhet të plotësonte katër kushtet transparencën dhe objektivitetit; lidhjen me një pagë referenciale dinamike ( pra jo të pandryshueshme); një mekanizëm indeksimi adekuat dhe efekt rektroaktiv nga data 1.4.2023.

Madje ajo kërkon zhvillimin e konsultimeve efektive me pushtetin gjyqësor dhe organizatat

përfaqësuese, sikurse është shprehur Gjykata.

Qeveria edhe Kuvendi nuk e gjetën dot një zgjidhje që përmbush edhe vendimin e Gjykatës edhe vullnetin e Ramës, ndaj afati 31.07. 2026 kaloi pa marrë asnjë veprim.

Është mosveprimi i organeve shtetërore pra i Qeverisë edhe Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese brenda datës 31.07.2026 që ka shkaktuar si pasojë automatike zbatimin e ‘formulës entuziaste’ të përcaktuar në krye të herës në ligjin 96/2016, edhe efektin financiar retroaktiv që prej datës 1.04 .2023 .

Pra shkurt, Qeveria edhe Kuvendi kanë shkuar si gjithmonë vetëm pas berihajt, ose ndryshe vullnetit të Kryeministrit që i di të gjitha, duke mos përmbushur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Por këtë herë sharra ka ngecur në gozhdë, ndaj Kryeministri le të kujtojë entuziazmin me të cilin miratoi ligjin 96 / 2016 dhe t’ju jap atë që u takon me ligj magjistratëve.

PS: Debati a duhet ti kenë gjykatësit edhe prokurorët pagat kaq të larta, apo më të larta se mësuesi, mjeku, ushtaraku, është tërësisht një debat tjetër.

Debati sot është fare i thjeshtë, a duhen zbatuar ligjet edhe vendimet e GJK apo do ti nënshtrohemi vullnetit të një individi i cili komandon edhe qeverinë edhe Kuvendin?!