Në Vlorë, qytetarët po përballen me mungesën e hapësirave publike në plazhe, pasi bizneset, baret dhe restorantet kanë zaptuar bregdetin me shezlongë dhe çadra, duke mos i lënë mundësi qytetarëve të thjeshtë që të vendosin peshqirë dhe të bëjnë plazh pa paguar. Në zonat e Lungomares dhe Zvërnecit, qytetarët shprehen se nuk kanë hapësira të lira dhe ndihen të shtypur nga privatizimi faktik i bregdetit.
Ligji parashikon që nga 1000 metra katror të vijës bregdetare, 700 metra t’i takojnë privatëve dhe 300 metra të jenë hapësira publike, por në terren kjo nuk respektohet. Për vitin 2024, 167 subjekte private kanë marrë leje për menaxhimin e plazheve, ndërsa për sezonin aktual pritet një ulje në rreth 70 subjekte, megjithatë situata mbetet e pa ndryshuar.
Në një intervistë televizive, deputetja e PS, Luljeta Bozo, e cila po pushonte në Vlorë, u shpreh se zbatimi i ligjit duhet të kontrollohet nga institucionet përkatëse për të mos krijuar shqetësime për banorët. Por, kur u pyet nëse do t’i përcjellte shqetësimin kryeministrit Edi Rama, ajo deklaroi:
“Kryeministri ska nge të merret me këtë punë… se ka punë të tjera. Kryetarit të bashkisë duhet t’ia thoni. Unë kam ardhur 2 ditë e do iki se kam punë.”
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për të garantuar akses të lirë dhe të barabartë në plazhe, duke denoncuar privatizimin dhe mungesën e respektimit të ligjit që garanton hapësira publike në vijën bregdetare.