Dy rrjedha të fuqishme të erës diellore pritet të arrijnë Tokën më 16 dhe 17 shtator, duke sjellë mundësinë e krijimit të stuhive të lehta gjeomagnetike të kategorisë G1.
Fenomeni lidhet me dy vrima koronale të formuara në atmosferën e jashtme të Diellit. Këto nuk janë çarje fizike, por zona ku dendësia e plazmës është më e ulët dhe vijat e fushës magnetike janë më të hapura, duke lejuar që era diellore të përhapet më shpejt në hapësirë.
Sipas parashikimeve, kur këto rrjedha grimcash të ngarkuara të ndërveprojnë me magnetosferën e Tokës, mund të shkaktojnë një stuhi gjeomagnetike të nivelit G1, niveli më i ulët në shkallën që shkon deri në G5.
Efekti më i dukshëm mund të jetë rritja e mundësisë për të parë aurorën boreale në gjerësitë gjeografike veriore. Në kushte të caktuara, zona ku shfaqet fenomeni mund të zgjerohet përkohësisht edhe në territore më në jug se zakonisht.
Aurora krijohet kur grimcat energjike nga Dielli përplasen me grimcat e shtresave të sipërme të atmosferës së Tokës, duke prodhuar ndriçimet karakteristike me ngjyra të gjelbra, të kuqe dhe vjollcë.
Megjithatë, një stuhi G1 nuk nënkupton pasoja serioze për jetën e përditshme. Mund të ketë ndikime të vogla dhe të përkohshme në satelitë dhe në mjedisin hapësinor, ndërsa dukshmëria e aurorës varet nga intensiteti i stuhisë, pozicioni gjeografik, kushtet atmosferike dhe ndotja e dritës.Për momentin, parashikimi mbetet për një fenomen relativisht të dobët dhe kalimtar, ndërsa vëzhguesit në zonat veriore do të kenë mundësi më të mira për të shijuar një nga spektaklet më të veçanta të qiellit të natës.







