Ballina Ekonomia Nëse nuk paguani taksën vjetore të makinës mund të humbni pronësinë e...

Nëse nuk paguani taksën vjetore të makinës mund të humbni pronësinë e saj! Ja 8 masat ndëshkuese për debitorët

13
0

Qindra mijëra qytetarë, të cilët nuk kanë paguar taksat vjetore për makinat që kanë në pronësi, rrezikojnë një seri ndëshkimesh nëse nuk i shlyejnë shpejt detyrimet e prapambetura.

Në rang vendi rezultojnë 256,741 mjete debitorë, që nuk kanë paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura dhe të luksit. Prej tyre, 100 mijë e 453 mjete debitorë apo 39% e tyre janë në qarkun e Tiranës, e ndjekur nga Durrësi me 35,153 mjete debitore dhe Shkodra me 17,881 mjete me detyrime vjetore të pashlyera. Në raport me totalin, 84% e debitorëve janë individë dhe 16% e tyre nga bizneset.

Për mbledhjen e detyrimeve nga pagesat e vonuara të taksës vjetore për mjetet e përdorura dhe të luksit DPSHTRR thotë se ka vijuar me planin e masave që nga njoftimet shkresore me frekuencë mujore nga Drejtoritë Rajonale përgjegjëse; njoftime digjitale përmes “a-Albania” mbi përfundimin e afatit të vlefshmërisë së taksës së mjetit, identifikim në terren përmes sistemit të monitorimit e deri te ndalimi i ofrimit të shërbimit për mjetet, të cilat rezultojnë debitore. Lista e plotë e debitorëve u është dërguar Drejtorive Rajonale të Tatimeve, me qëllim marrjen e masave për mbledhjen e taksave të papaguara për makinat nga bizneset, si dhe Drejtorive Rajonale të Policisë sipas qarqeve. Për rastet e evidentuara të qarkullimit të mjetit në mungesë të kolaudimit, drejtuesi penalizohet me gjobë ose sekuestrim mjeti. Të dhënat e debitorëve u janë dërguar edhe bashkive, të cilat janë arkëtuese 25% të taksave vjetore të mjeteve.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, të gjithë pronarët e mjeteve që u janë shmangur pagesave të taksave, do të kenë penalitete në vijim duke mos marrë një seri shërbimesh thelbësore duke filluar që nga ndryshimi i pronësisë; ndryshimi i targave (në rast dëmtimi apo humbje); kontrolli fizik (përfshirë certifikimin e xhamave të errësuar); lejet e qarkullimit kombëtare dhe ndërkombëtare; kontrollin teknik të detyrueshëm, si dhe të bëjnë çregjistrimin e mjetit. Shuma totale e borxhit të papaguar për taksën vjetore të mjeteve të përdorura (TVMP) dhe taksën e mjeteve luksoze (TVML) kap vlerën e rreth 17 miliardë lekëve, ose afërsisht 170 milionë USD, me detyrime që datojnë nga viti 2012 deri më qershor 2025. Apeli i drejtorisë pas këtij njoftimi për individët dhe bizneset debitore është pagesa e detyrimeve në kohë, me qëllim për të marrë shërbim. “DPSHTRR u bën thirrje të gjithë debitorëve të paguajnë detyrimet e tyre në kohë, jo vetëm për të shmangur kamatëvonesat, por edhe për të siguruar aksesin e vazhdueshëm në shërbimet e nevojshme të transportit.

Mospagimi i taksës mund të sjellë jo vetëm kosto shtesë, por edhe pengesa të mëdha në përdorimin e ligjshëm të mjetit”. Nuk janë pak, por mbi 256 mijë mjete që rezultojnë me debi nga individë që kanë emigruar ose nuk e kanë në përdorim makinën, por nuk kanë bërë çregjistrimin e tyre, qoftë edhe përkohësisht. Sakaq, të tjerë janë në pritje edhe të faljes së gjobave, një precedent i përpara disa viteve në fakt. Në 2017 qeveria miratoi ligjin nr. 33/2017 “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes / shuarjes së detyrimeve tatimore”, ku përfituan pronarët e makinave dhe biznesi që kishte detyrime të papaguara në Dogana e Tatime. DPSHTRR tha së zbatim të ligjit të mëparshëm kanë përfituar pronarët e 93,522 mjeteve.