Alesandro, turist nga Italia, duke dalë nga një supermarket në Tiranë. I pyetur për çmimet, ai shprehet disi i zhgënjyer, pasi e kishte imagjinuar Shqipërinë si një vend më të lirë, “jo kaq të shtrenjtë”. “Sapo dolëm nga supermarketi.
Ndërkohë që ishim brenda, nuk patëm kohë të llogarisnim konvertimin e çmimeve dhe menduam se do të na kushtonin rreth 10-15 euro,” – tregon ai.
“Morëm disa gjëra për darkë: një verë, pije, pasta, mish, salcë domatesh dhe perime për sallatë. Shtuam edhe dy lloje djathi dhe, në total, paguam rreth 35 euro, më shtrenjtë sesa në Bolonjë,” – shton Alesandro.
Elmor, një tjetër turist nga Britania ka bërë një koment në faqen Visit Albania për një supermarket në Golem. “Blemë (me peshë) 5 domate, 3 qepë, një kokë sallatë jeshile, një qese me patate të vogla dhe një spec jeshil… 15 euro. PESËMBËDHJETË EURO! E pyeta me kujdes nëse çmimi ishte i saktë, dhe shitësja nisi të shtypte numrat në kalkulator.
Ma tregoi ekranin dhe po, aq ishte çmimi. S’mund të ishte e vërtetë, apo jo!? Sot u futëm edhe në një supermarket tjetër për disa gjëra të vogla – asgjë e madhe, asnjë produkt britanik që normalisht kushton më shumë – dhe pagova me kartë…
Mbi 14 paund!?. Zonja që na pret këtu na tha se në fakt është më lirë të hash në restorante sesa të përpiqesh të gatuash vetë në apartamentin me vetëshërbim”, shkruan ai.