Nga Don Lush Sopi
Në këtë krizë të thellë politike, ekonomike dhe shoqërore që po e përjeton Kosova dhe populli saj në përgjithësi, për fat të keq, mbi ne si popull po rëndon edhe një krizë e thellë e unitetit dhe identitetit kombëtar. Pra, është një realitet i përditshëm, që shfaqet në forma dhe mënyra të ndryshme. Është e vështirë të kuptohet, e aq më tepër të pranohet një realitet i tillë, sepse Kosova dhe populli shqiptar i saj, kanë kaluar shekuj të tërë me periudha të hidhura e të errëta, periudha persekutimesh, sakrificash dhe tragjedish të mëdha mesjetare, të shkaktuara nga pushtues dhe ideologji të ndryshme. Toka e Kosovës, e ujitur me gjak ndër shekuj, sot po vuan, gjëmon dhe rëndon, jo më prej armiqve të jashtëm, por prej bijve të saj, të cilët përditë e më tepër po e manipulojnë dhe zhvlerësojnë të kaluarën, po e degradojnë të tashmen dhe po e rrezikojnë të ardhmën e saj!
Mohimi i të vërtetave historike, i fakteve dhe argumenteve të historisë sonë të lashtë, e vë në rrezik serioz të ardhmën e kombit tonë. Sepse, siç thuhet me të drejtë: “Një popull që e harron historinë e vet, është i dënuar ta përjetojë sërish atë”. Të gjithë popujt e qytetëruar krenohen me historinë, gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre të shëndosha fetare dhe kombëtare. Popujt e emancipuar dhe të avancuar bëjnë investime të mëdha në arsim, kulturë, shkencë dhe arkeologji për të ndriçuar rrënjët e tyre të lashta, sepse “Historia është mësuesja e jetës”.
Çfarë bëjmë ne për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë?
Kur është në pyetje historia jonë, pra, historia e popullit shqiptar, është e pajustifikuehme të qëndrojmë indiferentë ndaj përpjekjeve apo tendencave të rrymave të ndryshme, të cilat shfrytëzojnë çdo mundësi për të ndryshuar apo fshirë një periudhë të rëndësishme të historisë sonë – të pasurisë sonë kombëtare. Këto ide janë shqetësuese dhe shumë të dëmshme për Kosovën dhe për popullin shqiptar.
Së fundmi, po zhvillohen debate të shumta në dimenzione të ndryshme rrethë fesë apo besimit të popullit tonë iliro-dardano-shqiptar. Në këto diskutime, të zhvilluara nga njerëz të fushave të ndryshme, vërehet një sasi e madhe e të pavërtetave dhe dezinformatave, sa që vetvetiu shtrohet pyetja: pse gjithë ai mllef ndaj besimit të krishterë, ndaj kulturës dhe traditës së krishterë? Pse gjithë ato fyerje, përbuzje dhe nënçmime, etiketime nga më të ndryshmet, ndaj atyre që theksojnë se feja e të parëve të tyre ishte krishterimi? Ky është një realitet i vërtet që nuk mund të mohohet. Nëse mbështetemi në fakte dhe argumente, kur flasim për fenë, është më se e qartë se populli ynë shqiptar, si pasardhës i popullit ilir, ndër besimet monoteiste (besimi në Zotin Krijues), e ka pranuar krishterimin që në fillimet e tij, nga vet Shën Pali Apostull. Këtë e dëshmonë vet Shën Pali në Letrën drejtuar Romakëve: “Kështu, qysh prej Jerusalemit e përqark në Ilirik, e kam përhapur Ungjillin e Krishtit” (Rom 15,19).
Pohimet se feja e parë e popullit ilir ishte feja pagane janë të pabazuara mirë, sepse paganizmi nuk është një fe që bazohet në Zotin Krijues. Ai nuk është besim që e ka burimin te Hyji. Paganizmi është një temë e gjerë dhe komplekse, por në disa fjali mund të përkufizohet si një sistem jashtë feve monoteiste tradicionale. Në Shkrimin Shenjt, termi “pagan” i referohet njerëzve që nuk janë pjesë e popullit të zgjedhur të Hyjit. Në Beslidhjen e Vjetër, paganët apo johebrenjtë shpesh përmenden në kontekstin e kundërshtimit ndaj popullit hebrenjë dhe si njerëz që adhurojnë zota të rremë, të lidhur me forma të ndryshme të idhujtarisë. Në Beslidhjen e Re, qëndrimi ndaj johebrenjëve merr një kuptim të ri, pasi mesazhi i Ungjillit u predikohet edhe atyre, duke theksuar se Krishti erdhi për të shpëtuar dhe shëlbuar të gjithë njerëzit. Shën Pali shkruan: “Mua, më të voglit, m’u dha ky hir: t’ua shpall paganëve pasurinë e pashqyrtueshme të Krishtit Jezus” (Ef 3,8).
Nga këndvështrimi i feve monoteiste: judaizmit, krishterimit dhe islamit, termi “pagan” përdoret për të përshkruar ata që nuk i përkasin të njëjtit besim. Ndërsa, nga këndvështrime tjera, paganizmi përkufizohet si çdo sistem besimi jashtë feve tjera siç janë: budizmi, hinduizmi, judaizmi dhe krishterimi. Disa e përdorin këtë term edhe për të përshkruar dikë që nuk ka fe apo ndjekje shpirtërore. Paganizmi shpesh lidhet me politeizmin, pra me adhurimin e shumë perëndive, të cilat përfaqësonin elemente të natyrës si: dielli, hëna, pemët, kafshët, shkëmbinjtë, etj. Një pagan mund të përshkruhet edhe si njeri që është përqendruar vetëm në kënaqësitë materiale dhe të kësaj bote, duke mos pasur ndjeshmëri shpirtërore. Këtë e dëshmonë Jezusi: “Mos u brengosni, prandaj duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pimë?’ Me ‘Çka do të vishemi?’ – këto gjëra i kërkojnë paganët” (Mt 6, 31-32). Shën Pali, në Letrën drejtuar Romakëve, i përshkruan këta njerëz si materialistë dhe si adhurues të krijesave në vend të Krijuesit: “Ata e ndrruan Hyjin e vërtet me idhuj: nderuan dhe u shërbyen krijesave në vend të Krijuesit, i cili është i bekuar në amshim” (Rom 1,25). Paganët shpesh besonin në magji, hajmali dhe forma të tjera të parashikimit të së ardhmes, të cilat i përdornin për të ndikuar në jetën e përditshme të njerëzve. Ritet e tyre shpesh ishin të lidhura me pushtetin dhe strukturat politike të kohës, dhe në shumë raste, prijësit shtetërorë ishin njëkohësisht edhe udhëheqës fetarë të këtyre kulteve.
Populli ilir ka ekzistuar në këto periudha, por nuk ka dokumente apo argumente të bazuara të cilat tregojnë se në çfarë kanë besuar në kohën e paganizmit. Prandaj, deklarata se “feja e të parëve tanë është paganizmi” është tendencioze, e pakuptimtë dhe manipuluese. Nxitja e njerëzve që të kthehen në paganizëm si në “fenë e të parëve të tyre” dhe sulmimi ndaj atyre që e mbrojnë dhe e dëshmojnë krishterimin e tyre të lashtë, është një veprim i panjerëzishëm dhe i pajustifikueshëm.
Pohimi tjetër se “feja e parë e popullit shqiptar është feja ortodokse” nuk qëndron dhe është absurditet i madh. Këtë e dëshmonë historia e kishës, po ashtu edhe historia e popujve në përgjithësi, përfshirë edhe historinë e popullit tonë. Kjo mund të provohet lehtë me fakte dhe argumente të fuqishme e të pamohueshme.
Mosmarrëveshjet dhe përçarjet lidhur me dogmat, ritet fetare, dallimet kulturore e gjuhësore, si dhe arsyet politike të fshehura pas tyre, kanë qenë prezente qysh më heret, sidomos gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine dhe pas ndarjes së Perandorisë Romake në vitin 395. Ndërsa, ndarja e madhe, ose Skizma përfundimtare ndërmjet kishës Katolike Romake me qendër në Romë dhe Kishës Ortodokse lindore me qendër në Konstandinopojë, ndodhi në vitin 1054. Përhapja e ortodoksizmit ndër popullin shqiptar është një proces historik kompleks, i lidhur ngushtë me zhvillimet politike, kulturore dhe fetare në rajon. Pas ndarjes së Kishës, territori shqiptar u nda ndërmjet ndikimit të Kishës Ortodokse Lindore dhe Kishës Katolike Perëndimore. Rajonet jugore dhe lindore të Shqipërisë ranë kryesisht nën ndikimin e Ortodoksisë Bizantine. Më pas vazhdoj përhapja e Ortodoksisë edhe në rajone të tjera.
Qysh nga shekujt e parë të krishterimit, pra, para ndarjes së Kishës, kishim Papa me origjinë ilire. Kishim martirët Shën Florin dhe Shën Laurin nga Ulpiana, krahinë e Dardanisë. Kishim personalitete të shquara me ndikim të lartë shtetëror. Ndër ta ishte edhe perandori Kostandini i Madh, i cili me dokumentin e rëndësishëm për njerëzimin, Ediktin e Milanos në vitin 313-të i dha fund përndjekjeve të mëdha fetare, duke garantuar lirinë e plotë të besimit. Kishim gjithashtu personalitete të larta fetare dhe intelektuale, si Shën Jeronimi, i cili përktheu Shkrimin e Shenjt nga gjuha origjinale në gjuhën latine, si dhe figura të tjera të shquara në kulturë, art dhe fusha të ndryshme. Shtrohet pyetja: Përse të fshijmë gjithë ata shekuj, gjithë atë pasuri fetare dhe kombëtare me të cilën duhet të krenohet çdo shqiptar, pavarësisht përcaktimit të tij fetar apo shpirtëror?
Feja është çështje personale e çdo individi; ajo është frymëzim i brendshëm i jetës shpirtërore të njeriut, lidhja personale mes njeriut dhe Zotit. Prandaj, duhet respektuar liria e plotë e çdo njeriu, pavarësisht bindjeve të tij fetare, sepse jemi vëllezër të një gjaku, të një gjuhe, të një toke që na bashkon në idealet tona kombëtare dhe na fton të jetojmë si vëllezër e motra. Ne kemi historinë e përbashkët, të sotmen dhe të ardhmen që na bashkon.
Pohimi tjetër “Edhe besimi i krishterë është përhapur me dhunë”, është një deklaratë fyese dhe ofenduese; madje mund të themi se është një deklaratë skandaloze. Themeluesi i besimit krishterë është Jezusi. Është fakt i pamohueshëm që Jezusi u gjykua dhe u dënua padrejtësisht, u mundua dhe u kryqëzua. Ai dëshmoi dashuri ndaj të gjithë njerëzve, përfshirë edhe ndaj armiqve, dhe kërkon që edhe ne të veprojmë kështu. Këtë e dëshmonë Shkrimi i Shenjt: “Por unë ju them juve që më dëgjoni: Duani armiqtë tuaj, bëni mirë atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që ju keqtrajtojnë” (Lk 6,27-28). Ai predikoi dhe ftoi njerëzit të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin, dhe kjo nuk mund të mohohet nga askush. Këtë e dëshmonë edhe përshëndetja e tij e parë pas Ringjalljes, drejtuar apostujve: “Paqja me ju!” (Lk 24,36). Që nuk e ka urrejtur askend, as ata që e kryqëzuan, e dëshmoi nga kryqi: “Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!” (Lk 23,34).
Veprimtarinë e Tij e vazhduan apostujt, bashkëpuntorët më të ngushtë të Tij. Fillimi i përhapjes së Ungjillit, apo besimit në Krishtin e Ringjallur, ishte një mision paqësor i apostujve, pa dhunë dhe pa imponim. Këtë e dëshmonë Shkrimi i Shenjt, e dëshmojnë martirët e Kishës dhe e dëshmonë historia, pasi me Krishtin fillon historia e re e njerëzimit. Përhapja e besimit të krishterë, sidomos në shekujt e parë, nuk është bërë me dhunë. Përkundrazi, ato kanë qenë kohëra të errëta për të krishterët, kohë flijimesh dhe martirizimesh të shumta ndaj atyre që predikonin Ungjillin e Krishtit, duke filluar nga apostujt dhe duke vazhduar shekuj me radhë ndaj të gjithë atyre që e pranonin këtë besim. Që nga fillimi i krishterimit, nga koha e apostujve dhe deri në fund të shekullit III (koha e Dioklecianit), Perandoria Romake vazhdimisht e ka përndjekur popullin e krishterë duke përdorur dhunë sistematike për shfarrosjen e tyre.
Në periudha të ndryshme gjatë shekujve, varësisht prej rrethanave, ka pasur edhe forma të ndryshme imponimi, por pohimet apo pretendimet se “Krishterimi ka filluar me dhunë” nuk qëndrojnë. Përkundrazi, përndjekjet ndaj të krishterëve nuk u ndalën kurrë. Këtë e përjetoi edhe populli ynë shqiptar. Në aspektin fetar, kisha katolike dhe populli i krishterë kanë përjetuar shekuj të tërë Kalvar të vërtet, me tragjedi të ndryshme, përndjekje, flijime dhe persekutime të shumta, duke larë tokën me gjak për ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar, për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditave të shëndosha familjare, fetare dhe kombëtare.
Pohimet dhe deklaratat si “Mund të bëheni paganë, ortodoksë, protestantë, evangjelistë, agnostikë, ateistë, vetëm katolikë jo!” vetvetiu sjellin një konkluzion të qartë për të kuptuar se këto janë absurditete skajshëm të padrejta, deklarata me qëllime të caktuara në dëm të historisë sonë, kulturës së lashtë dhe identitetit tonë kombëtar.
Kur është në pyetje çështja e Kombit, identitetit tonë kombëtar, ruajtja e gjuhës, kulturës dhe traditave të shëndosha kombëtare si dhe çështja e Atdhedashurisë, është e padrejtë dhe e pajustifikueshme të anashkalojmë kontributin e madh në vazhdimësi të të gjithë shqiptarëve në këtë drejtim, pavarësisht përcaktimit të tyre fetar apo religjioz. Këtë e dëshmojnë dëshmorët e kombit, flijimet, sakrificat, si dhe persekutimet e mëdha që ka përjetuar populli ynë shekuj me rradhë.
Jemi të vetëdijshëm se pa unitet kombëtar, populli ynë shqiptar nuk do të ishte sot i lirë, dhe Kosova jonë e dashur nuk do të ishte Shtet i Pavarur dhe Sovran.
Prandaj, le të angazhohemi të gjithë për të dhënë kontributin tonë maksimal në rrugën e unitetit kombëtar, sepse pa bashkëpunim dhe pa bashkëveprim nuk mund të kemi një të sotme të mirë dhe aq më pak një të nesërme të ndritur.