Ballina Aktualitet Bizneset e fshehura në Himarë dhe skandali me salmonelën/ Si po abuzon...

Bizneset e fshehura në Himarë dhe skandali me salmonelën/ Si po abuzon me pushtetin Paulo Rrapaj

32
0

Një skandal i rëndë shëndetësor dhe institucional ka shpërthyer në Vlorë, ku Paulo Rrapaj, ish-drejtor i AKU-së për qarkun, është vënë në qendër të një skeme të mirëorganizuar të abuzimit me detyrën, konfliktit të interesit dhe pastrimit të produkteve të ndaluara për konsum.

Pas denoncimit publik për riprocesimin e mishit të kontaminuar me salmonelë në fabrikën “Mega Sallameri”, që është në pronësi reale të vetë Rrapajt, drejtoria e përgjithshme e AKU ndërhyri me një masë qesharake: e hoqi nga pozita e drejtorit dhe e emëroi përgjegjës sektori, brenda të njëjtit institucion!

Burime të brendshme tregojnë se ky “shkarkim” ishte thjesht një manovër për të shuar reagimin publik, ndërkohë që Rrapaj nuk është larguar realisht nga pushteti.

Ai vijon të ushtrojë ndikim, të urdhërojë kontrolle dhe të marrë pjesë në vendimmarrje, pavarësisht se ligji për konfliktin e interesit e ndalon tërësisht një individ me përfshirje të drejtpërdrejtë në tregun ushqimor të mbajë funksione publike mbikëqyrëse.

Hetimi mediatik ka zbuluar se aktiviteti i Rrapajt nuk mbaron me fabrikën e përpunimit të mishit. Ai zotëron, në mënyrë të kamufluar në emra të punonjësve të tij, edhe, një bar-restorant, një stacion plazhi, dhe aktivitete të tjera sezonale, të gjitha në zonën e Himarës.

Në dokumente, këto biznese figurojnë në emër të Besart Memetajt, një individ i lidhur ngushtë me Rrapajn, por burimet tregojnë se menaxhimi, furnizimi, stafi dhe fitimet kontrollohen direkt nga ish-drejtori i AKU-së.

Kjo është një skemë klasike e shmangies së deklarimit të pasurisë, shmangies fiskale dhe mundësisë për hetim penal. Rrapaj jo vetëm që përfiton personalisht nga pozita publike, por përdor të afërmit dhe të punësuarit si mburojë ligjore për të vazhduar aktivitetet private në prapaskenë.

Edhe pas “shkarkimit formal”, Rrapaj vijon të ketë akses në informacion, të japë urdhra dhe të drejtojë inspektime, duke përdorur pozicionin e tij për të, bllokuar subjektet rivale në treg, paralajmëruar inspektorët që të mos i afrohen fabrikës së tij, dhe të manipulojë raportet e kontrollit.

Ky është një ushtrim i paligjshëm i funksionit publik, që përbën shkelje penale të detyrës dhe konflikt të rëndë interesi sipas ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike”.

Përse hesht Prokuroria? Pse nuk vepron SPAK? E gjithë kjo skemë, nga përpunimi i mishit të infektuar, te ushtrimi i pushtetit në shkelje të ligjit dhe përdorimi i bizneseve të fshehta përbën material të pastër penal dhe objekt hetimi për SPAK dhe Prokurorinë e Vlorës.

Deri tani, nuk ka asnjë informacion për ndonjë hetim zyrtar, për ndonjë procedim penal apo për ndonjë veprim administrativ për t’ia hequr të drejtën e ushtrimit të detyrës publike.

Një njeri që duhet të garantonte sigurinë ushqimore, ka ushqyer tregun me rrezik dhe qytetarët me sëmundje.Një funksionar që duhet të ndëshkonte abuzimet, i ka ndërtuar vetë ato.

Një institucion që duhet të mbrojë qytetarët, është shndërruar në mburojë për interesat e tij personale.

Ky rast duhet të jetë pika e kthesës për pastrimin e institucioneve nga individë si Paulo Rrapaj, që jo vetëm i korruptojnë, por i kriminalizojnë plotësisht./sot