Deputetja e PL-së, Monika Kryemadhi ka sulmuar Tedi Blushin, Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë. Në një prononcim për gazetarët para se të hynte në kuvend për herë të fundit, Kryemadhi foli për rastin e ri të korrupsionit të zbuluar nga SPAK, lidhur me kartën bankare të dhënë nga biznesmeni i tij kushëri Adrian Shatku, përmes së cilës ka shpenzuar 244 mijë dollarë për veshje, bileta avioni e hotele në vende të botës.
Kryemadhi shënjestri Blushin, teksa tha se në vend që të lexojë dokumentet të SPAK për të, duhet të flasë për Ergys Agasin apo Ulsi Manjën. E akuzon gjithashtu se e largoi Metën nga shtëpia, i largoi njerëzit nga Partia e Lirisë, duke shtuar me ironi se tani që u bë deputet, nuk e di se çfarë kërkon që të marrë më.
“Nëse do edhe një fustan apo taka të miat ia jap”, tha Kryemadhi me ironi, ndërsa shtoi gjithashtu se Blushi, me takimet e tij me Metën në burg, po bllokon edhe mundësinë për të lejuar fëmijët të shohin të atin.
“Tedi Blushi mori ca kishte për të marrë. I largoi të gjithë këshilltarët në presidencë kur ishte Meta, i largoi nga partia e Ilir Metës, të gjithë kontribuuesit dhe themeluesit e partisë. E gënjeu se ia kanë hequr vjehrrin nga puna por e ka akoma nëndrejtor te spitali i burgut. Nuk e di ca do më. Deputet u bë. Nga shtëpia e largoi Ilir Metën, takimet e kalamajve ua djeg në burg Blushi. Nëse do edhe një fustan apo një palë këpucë me taka të miat ia jap me qejf. Të dalë e të flasë njëherë për Ergys Agasin, për Ulsi Manjën, apo nuk guxon dot se ka gruan në punë aty. Ai është izoluar Meta, është një nga të burgosurit më të izoluar në burg, edhe dje nuk e lanë djalin për të hyrë. Pra ky zotëria përpara se të dalë të lexojë deklaratat e SPAK për Kryemadhin, le të dalë të bëjë një deklarata për drejtorin e Përgjithshme të Burgjeve për ministrinë e Drejtësisë”, u shpreh Kryemadhi.
E pyetur nëse i vjen keq se do të zëvendësohet në Kuvend nga Blushi, Kryemadhi shtoi:
“Nuk më vjen keq fare se fusha tjetër me të cilën po merrem është më e bukur, më me emocion, me ritëm dhe ke të bësh me njerëz që aspirojnë të bëjnë një gjë të bukur dhe jo me njerëz që duan të hajnë bukë në kurriz të të tjetëve.”
Kryemadhi thotë mes të tjerash se Meta është i burgosur politik me urdhër të Yuri Kim dhe Alex Soros për të justifikuar reformën në drejtësi.
“Mendoj se zoti Meta është i burgosur politik. Arrestimi i tij është urdhër i Yuri Kim dhe Aleksandër Soros që iu duhej për të justifikuar, USAID iu ndërprenë projektet në Shqipëri dhe po verifikohen gati 180 mln dollarë. Nuk besoj se SHBA dhe taksapaguesit amerikanë kanë paguar reformën në drejtësi për të vendosur një prokuror apo disa prokurorë, të cilët bëjnë aferat e grupeve të caktuara interesi kriminale dhe qeveritare. E dyta, ata që lexojnë fletë rrufetë e SPAK nga zyrat e Partisë së Lirisë, po të marrim të lexojmë kushedi ca duhet të them unë për Metën dhe ai për mua. E kam thënë se çdo fjalë e shkruajtur qoftë në akuzë apo pretendimeve të SPAK është përveçse linçim dhe denigrim, është edhe manipulim.”, tha Kryemadhi, duke shtuar më tej se “Mos të dalin e të flasin për Monika Kryemadhin se po të dal të flas unë për ata nuk e di se çfarë ndodh pastaj.”