Ballina Bota Ishin përjashtuar prej dekadash nga shërbimi ushtarak, Netanyahu vendos rekrutimin për 54,000...

Ishin përjashtuar prej dekadash nga shërbimi ushtarak, Netanyahu vendos rekrutimin për 54,000 hebrenj ultraortodoksë

205
0

Qeveria e Benjamin Netanyahut rrezikon të përballet me një krizë të re politike pas vendimit të ushtrisë izraelite për të dërguar thirrje për shërbim ushtarak ndaj 54.000 hebrenjve ultraortodoksë (Haredim) brenda muajit korrik.

Këta qytetarë, të përjashtuar për dekada nga shërbimi ushtarak në bazë të statusit të studentit në shkollat fetare “jeshiva”, tani nuk gëzojnë më këtë përjashtim pas skadimit të ligjit përkatës.

“Ushtria do të nisë këtë javë shpërndarjen e thirrjeve për rekrutim për anëtarët e komunitetit ultraortodoks që nuk janë më të përjashtuar për shkak të studimeve të tyre fetare,” njoftoi ushtria izraelite.

Përfshirja e ultraortodoksëve në ushtri është një temë e nxehtë politike në Izrael, veçanërisht për koalicionin aktual të Netanyahut, që mbështetet nga parti të ekstremit të djathtë dhe grupe fetare të cilat kundërshtojnë kategorikisht rekrutimin e kësaj popullsie. Pas më shumë se 21 muajsh lufte në Gaza dhe përplasje të armatosura në Liban, Siri dhe me Iranin, pjesa tjetër e shoqërisë izraelite është gjithnjë e më pak tolerante ndaj përjashtimit të këtij komuniteti.

Që nga themelimi i Izraelit më 1948, burrat e komunitetit Haredi kanë qenë të përjashtuar nga ushtria për sa kohë janë të angazhuar me kohë të plotë në studimin e librave të shenjtë hebraikë. Ky privilegj është sfiduar vazhdimisht nga Gjykata e Lartë që nga fillimi i viteve 2000, duke detyruar qeveritë të hartojnë zgjidhje të përkohshme ligjore për të shmangur krizën.

Pas qershorit 2024, dhe në mungesë të një ligji të ri që garanton përjashtimin, gjyqësori ka kërkuar zbatimin e ligjit të përgjithshëm të rekrutimit edhe për ultraortodoksët.

Sipas njoftimit zyrtar, “fletë-thirrjet do të dërgohen në mënyrë graduale gjatë korrikut deri në arritjen e kuotës prej 54.000 individësh”. Ushtria garanton se do të bëjë përpjekje për të ruajtur mënyrën e jetesës fetare të këtij komuniteti gjatë rekrutimit.

Aktualisht, ultraortodoksët përbëjnë rreth 14% të popullsisë hebraike në Izrael, me mbi 66.000 burra në moshë për shërbim ushtarak, shumica e të cilëve janë përjashtuar deri më tani.

Shumë rabinë e kundërshtojnë rekrutimin, duke argumentuar se studimi i Torës “mbrojt vendin po aq sa ushtria”. Ndërsa të tjerë shprehin shqetësimin se shërbimi ushtarak do të rrezikojë identitetin fetar të të rinjve, për shkak të kontaktit me shoqëri jo-fetare dhe pranisë së grave në ushtri.