Disa orë pasi u shkarkua nga detyra e Ministrit të Transportit, Roman Starovoit, i ka dhënë fund jetës, pasi sipas gazetës Izvestiya, qëlloi veten me armë.
Ky lajm u konfirmua edhe nga autoritetet ruse, pasi sipas Komitetit Hetues, “trupi i ish-Ministrit të Transportit rus Roman Vladimirovich Starovoit u gjet sot në makinën e tij, duke pësuar një plagë plumbi”.
Dekreti i Putinit nuk e justifikoi shkarkimin e Roman Starovoit, i cili kishte qenë në këtë post vetëm për një vit. Starovoit u emërua ministër i transportit në maj 2024, pasi kaloi gati pesë vjet si guvernator i rajonit Kursk, i cili kufizohet me Ukrainën.
Kremlini njoftoi se Andrei Nikitin, një ish-guvernator i rajonit të Novgorodit, ishte emëruar ministër i transportit në detyrë dhe publikoi foto të tij duke shtrënguar duart me Putinin në Kremlin.
I pyetur për largimin e papritur të Starovoit dhe emërimin e shpejtë të Nikitin, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha: “Aktualisht, sipas mendimit të presidentit, kualifikimet profesionale dhe përvoja e Andrei Nikitin do të ndihmojnë më së miri të sigurohet që ky shërbim, të cilin presidenti e përshkroi si jashtëzakonisht të rëndësishëm, të përmbushë detyrat dhe funksionet e tij.”







