Skemat mashtruese me mikrokreditë kanë zhvatur mijëra qytetarë të pamundur, kanë shkatërruar familje dhe kanë marrë jetë njerëzish.
Por, asgjë nuk ka mjaftuar për të ndalur këtë fenomen kriminal. Pal Trashaj, një i moshuar që nuk gjeti dot drejtësi kundër bandës së mikrokredive që i shkatërroi jetën, u vethelmua në dyert e SPAK. Gjatë zhvillimeve të bujshme të vitit 2024 në sistemin e drejtësisë, u vetëvra duke u hedhur nga lartësia e pallatit Olsi Ibro, një prej personazheve kyç në skemën e mashtrimeve me mikrokreditë.
Ai i dha fund jetës në 20 Korrik 2024, vetëm 1 ditë pasi prokuroria sekuestroi kompanitë Microcredit Albania dhe Final. Vetëvrasja e tij u konsiderua tepër e mistershme, marrë parasysh edhe momentin kur ndodhi.
VOX NEWS ka siguruar të tjera materiale kompromentuese nga kompanitë e mikroredive, fijet e të cilave shkojnë pikërisht tek njerëzit që ishin pas skemave të MCA dhe FINAL. Por, të shfaqur me kompani që reklamohen me pompozitet.
Gjykata e Gjirokastrës, kishte marrë disa kërkesa për nxjerrjen urdhra ekzekutimi nga noterja Ernela Çuberi. Zonja është bashkëshorte e Arben Meskutit, pronarit të kompanisë FINAL, e vënë në sekuestro për skemën zhvatëse. Një histori skandaloze që në fakt kishte plasur të paktën 7 apo 8 vite më herët.
Por, le të kthehemi tek një padi konkrete që ka bërë një prej gjykatësve në Gjirokastër, ndaj Ernela Çuberit, kërkesë që kishte si indicie dhe provë pikërisht kërkesën e Çuberit për një urdhër ekzekutimi. Në kërkesën e zonjës Çuberi për nxjerrje urdhri ekzekutimi, gjyqtari kishte ngritur dyshime për falsifikim.
Pra, e njëjta histori me kompanitë MCA-FINAL ku në qendër të skandalit ishte bashkëshorti i saj. Edhe në këtë rast, është përfshirë në skemë subjekti ADCA së cilës i ishin dhënë tagrat e përfaqësimit nga IUTE CREDIT.
Çuberi kërkonte nga Gjykata e Gjirokastrës ekzekutimin e një borxhi të pretenduar nga IUTE CREDIT ndaj një qytetareje. Por, bashkëshortja e Arben Meskutit, Çuberi, sipas gjykatës dyshohet se ka falsifikuar kopjet e kontratës së kredimarrësit me IUTE CREDIT. Pra, ajo kërkonte në gjykatë që ti bllokonte pronat qytetares duke përdorur dokumente false.
Një skemë e zbatuar masivisht nga subjektet MCA-FINAL dhe rrjeti subjekteve pas tyre. Por, këtë herë në qendër del edhe IUTE CREDIT. Në fakt, është thënë pak ose aspak fakti që IUTE CREDIT, dikur ka qenë kompani mëmë për subjektin FINAL.
Pikërisht kompaninë e mikrokredive që u sekuestrua për zhvatjen e mijëra qytetarëve. Në këtë sens, nuk duket fare rastësore që del në skenë për çështje të dyshimta edhe IUTE, një kompani që prej disa vitesh e ka shpërngulur jashtë vendit selinë.
Në kallëzimin penal të gjyqtarit për noteren dhe subjektin IUTE CREDIT thuhet mes të tjerash se dyshohet për falsifikim dokumentesh pasi “Këto kopje të kontratës nuk janë marrë nga origjinali, por nga pamje fotografike të telefonit dhe kompjuterit, duke u treguar në pamje, pjesë të telefonit, kompjuterit dhe tastierës së tij”.Në këto kushte, ai kërkoi ndjekjen penale duke e referuar materialin në Prokurorinë e Tiranës. Gjyqtari ka ngritur dyshimin për zhvatje, të orkestruara mbi dokumente të falsifikuara për borxhe që nuk ekzistojnë. Nuk dihet se në çfarë faze është dosja në Prokurori por kallëzimi i bërë nga vetë Gjykata, është një tregues mbi seriozitetin e situatës.
Ajo që e bën çështjen alarmante është fakti se në Gjykata, janë paraqitur qindra çështje të tilla të cilat paralajmërojnë të tjera skandale me kompanitë e mikrokredive. Këtë herë, sytë janë drejtuar tek IUTE CREDIT, e cila ishte objekt i kallëzimit penal. Jo nga një qytetar i zakonshëm, por nga një profesionist i drejtësisë, një gjyqtar…
HISTORIA QË PËRSËRITET…
Por, a kufizohet ky fenomen vetëm tek IUTE CREDIT DHE kompanitë e damkosura ndër vite për zhvatjen e pronave të qytetarëve…? Fenomeni është shumë më i gjerë se kaq. Në verën e vitit 2024, teksa drejtësia më në fund u kujtua të kthejë sytë nga zhvatësit e MCA dhe FINAL, një tjetër kompani e ngjashme konsumonte të tilla shkelje. Në qendër të skandalit është kompania “Credital”, dikur e regjistruar me emrin “Micro Credit Risk”. Kompania kishte blerë borxhet e subjektit tjetër “Kredo Financë”.
Këtu, zbulohet se në skemë rezultonte edhe kjo kompani mjaft e njohur si “Kredo Financë”. Qytetarja me inicialet Z.R. kishte marrë një borxh prej vetëm 5 mijë lekësh të reja te subjekti ‘Kredo’ që pretendohej se nuk ishte shlyer.
Çështja përfundon në gjykatë për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit në dëm të qytetares. Por, përfaqësuese tashmë nuk ishte më ‘Kredo’ por subjekti “Credital” që kishte blerë borxhet nga kompania e parë. Ajo që binte në sy dhe u konstatua nga gjyqtari ishte fakti se marrëveshja ishte me shkrim të palexueshëm. Pra, linte vend për interpretim dhe dyshime falsifikimi.
Në vendimin e gjykatës thuhej shprehimisht se “Ekziston dyshimi se të drejtat dhe detyrimet e parashikuara në marrëveshje janë shkruar me qëllim me shkrim të palexueshëm në madhësi, që pala huamarrëse mos të njihej me detyrimet e marrë përsipër në marrëveshje”.
Qytetarja Z.R. dyshohet se është mashtruar për të nënshkruar një kredi të re për të shlyer të parën. Pra, skema që bënin më herët MCA dhe FINAL. Kredia ishte me interes plot 204 % dhe përtej çdo llogjike.
Gjyqtari e konsideronte tepër të dyshimtë edhe faktin që kompania “Credital”, i ishte drejtuar dy herë Gjykatës me kërkesa për urdhra ekzekutimi ndaj qytetares Z.R. Ajo u konsiderua një përpjekje për komplikimin ligjor të situatës dhe zhytjen e qytetares në një situatë pa kthim, derisa ti bllokonin pasuritë. Për një borxh që ishte vetëm 5 mijë lekë. Me gjithë kamatvonesat shkonte rreth 60 mijë lekë. Por, çuditërisht në gjykatë vlera përllogaritej mbi 100 mijë lekë.
Në këto kushte, gjyqtari rrëzoi kërkesën për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit ndaj qytetares. Këto dosje që ne disponojmë zbulojnë një fenomen që jo vetëm nuk ka marrë fund, por vijon masivisht të zhvatë qytetarët.
A janë të njëjtit persona që kanë thurur skemat zhvatëse përmes MCA dhe FINAL? Lidhjet mes kompanive që zbuluam në këtë investigim treguan se fijet mes njerëzve janë, por pyetja që ngrihet është: kush qëndron në majën e Piramidës…?
Në vijim, ne do të sjellim të tjera denoncime dhe materiale që zbulojnë thellimin e dramës së mikrokredive…
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews