Ballina Europë Zjarr masiv në Marsejë të Francës, mbi 100 persona të lënduar

Zjarr masiv në Marsejë të Francës, mbi 100 persona të lënduar

19
0

Rreth 110 persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një zjarri të madh që ka përfshirë zonat përreth Marsejës, qyteti i dytë më i madh në Francë. Zjarri, që ka shpërthyer të martën, është përhapur me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe ka detyruar evakuimin e qindra banorëve.

Sipas Ministrit të Brendshëm të Francës, Bruno Retailleau, në terren janë angazhuar rreth 800 zjarrfikës që po punojnë pa ndërprerje për të vënë flakët nën kontroll. Ai konfirmoi se përpjekjet për shuarjen e zjarrit do të vazhdojnë pasi situata ende nuk është stabilizuar.

Në një deklaratë për mediat, kryebashkiaku i Marsejës, Benoit Payan, ka përshkruar përballjen me zjarrin si një luftë të vërtetë: “Batalioni i zjarrfikësve detarë po zhvillon luftë guerile, me tuba uji në dorë,” – tha Payan, duke vlerësuar angazhimin e ekipeve të emergjencës.

Mediat franceze raportojnë se të paktën 400 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve. Ndërkohë, janë lënduar edhe nëntë zjarrfikës që ishin në vijën e parë të zjarrit.

Autoritetet kanë paralajmëruar banorët të qëndrojnë brenda shtëpive dhe të mos evakuohen në mënyrë të pavarur, për të mos bllokuar rrugët që janë të nevojshme për qarkullimin e automjeteve të emergjencës.

Kryebashkiaku Payan ka treguar se në kulmin e saj, zjarri është përhapur me një shpejtësi të frikshme prej 1.2 kilometra në minutë, duke përmendur si faktorë përshpejtues erërat e forta, bimësinë e dendur dhe terrenin e pjerrët.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar për një vizitë shtetërore, ka reaguar përmes rrjetit social X: “Mendimet tona janë me të lënduarit dhe të gjithë banorët,” – ka shkruar ai, duke u bërë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e sigurisë.

Ndërkohë, Aeroporti i Marsejës, i cili ishte mbyllur që nga mesdita e së martës për shkak të afërsisë me vatrat e zjarrit, ka njoftuar se do të rihapet pjesërisht.