Polonia ka përfunduar një marrëveshje të re për të blerë një grup të dytë prej 180 tankesh moderne K2 nga Koreja e Jugut, duke e çuar totalin e automjeteve të blinduara të planifikuara për blerje në gati 1,000 njësi. Kjo është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të arritur në vitin 2022 mes dy vendeve.
Ky zhvillim e vendos Poloninë gjithnjë e më shumë në qendër të mbrojtjes evropiane dhe nënvizon rolin në rritje të Koresë së Jugut si furnizuese kryesore e armëve për vendet aleate të SHBA-së.
Që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Polonia ka rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake, duke blerë armë moderne dhe duke forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse.
Blerja e tankeve K2 është pjesë e këtij transformimi, ndërsa vendi po përgatitet për çdo skenar të mundshëm në kufijtë lindorë të NATO-s.
Kjo marrëveshje vjen në një moment kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës, disa prej të cilave janë kryer brenda një distance prej më pak se 100 miljesh nga territori polak.
Si një vend kufitar me Ukrainën dhe anëtar i NATO-s, Polonia shihet si një pjesë kyçe e vijës së parë të mbrojtjes së aleancës në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm nga ana e Kremlinit.
Koreja e Jugut po fiton terren si një ndër eksportueset më të mëdha të pajisjeve ushtarake në botë. Teksa SHBA përballet me sfida për të përmbushur kërkesën në rritje për armë nëpër botë, furnitorë alternativë si Koreja po fitojnë besimin e partnerëve të NATO-s dhe vendeve të tjera aleate.
Marrëveshja për grupin e dytë të tankeve është njoftuar nga Ministria e Mbrojtjes e Polonisë në një postim në platformën sociale X, megjithëse pritet ende të nënshkruhet zyrtarisht në ditët në vijim.