Ballina Europë Krim i fshehur në dekada/ Zbulohen eshtrat e qindra foshnjave, në një...

Krim i fshehur në dekada/ Zbulohen eshtrat e qindra foshnjave, në një varr masiv

26
0

Gërmimet në vendin ku dikur ndodhej Shtëpia e Shën Marisë për Nënën dhe Foshnjën në qytetin Tuam pritet të zgjasin dy vjet, me synimin për të identifikuar eshtrat dhe për t’u dhënë viktimave një varrim dinjitoz.

Hetuesit kanë nisur zyrtarisht gërmimet në vendin ku besohet se janë varrosur në mënyrë sekrete 796 foshnje dhe fëmijë të vegjël, të cilët vdiqën midis viteve 1925 dhe 1961 në një institucion katolik për nëna të pamartuara të drejtuar nga murgeshat Bon Secours.

Zbulimi i këtij varri masiv erdhi pas hetimeve të Catherine Corless, një historiane amatore që në vitin 2014 publikoi emrat e 796 fëmijëve të vdekur për të cilët nuk kishte asnjë të dhënë zyrtare varrimi.

Ajo zbuloi se shumë nga fëmijët kishin vdekur në rrethana të dyshimta dhe trupat e tyre dyshohet se ishin hedhur në një ish-rezervuar të ujërave të zeza.

Dëshmitarë, përfshirë Mary Moriarty, kujtojnë se në vitet 1970 fëmijë të lagjes zbuluan kocka në një gropë në vendin ku ndodhej shtëpia. Moriarty përshkroi pamjen e “qindra trupave të vegjël të mbështjellë në pëlhura, të rreshtuar njëri pas tjetrit deri në tavan”.

PJ Haverty, një nga të mbijetuarit që jetoi gjashtë vjet në atë institucion, e përshkroi përvojën si “burg”, duke treguar për diskriminimin e vazhdueshëm dhe stigmatizimin që ai dhe të tjerët përjetuan.

Një hetim i qeverisë irlandeze në vitin 2017 konfirmoi gjetjet e Corless, duke zbuluar mbetje të konsiderueshme njerëzore, përfshirë foshnje deri në moshën 2-3 vjeç, si dhe të dhëna për trajtim të rëndë dhe neglizhencë.

Anna Corrigan, e cila zbuloi se kishte dy vëllezër që vdiqën në institucion, por për njërin prej tyre nuk ekziston asnjë certifikatë vdekjeje, thotë se fëmijët e Tuam tani më në fund “kanë një zë dhe një emër”. Ajo ka themeluar Grupin Familjar Tuam Babies, që lufton për drejtësi dhe përkujtim për viktimat.

Ndërsa gërmimet kanë nisur, Irlanda përballet me një nga momentet më të dhimbshme të ballafaqimit me të kaluarën, duke u përpjekur t’u japë paqe qindra jetëve të humbura në heshtje.