Regjisori dhe aktori i njohur Mevlan Shanaj, ka replikuar me Baton Haxhiun, pasi ky i fundit kërkoi mbylljen e RTSH-së.
“Baton Haxhiut!
Ke vite që në median shqiptare shfaqesh si një ndër analistët e shumtë, duke stërthënë apo mbrojtur interesa të caktuara politike dhe jo ato publike, si po thuaj të gjithë ju të paguarit!
Po që të vije në mënyrë publike me guxim dhe mendim të ditur “për mbylljen e RTSH” kjo ide shkatërrimtare nga ti po më çudit!
Baton, mënçuri nuk është të shkatërrosh, por të ndërtosh! Jam ndër themeluesit e RTSH së! Një institucion si RTSH mbrohet me krijimtari serioze! Krijimtaria i jep personalitet atij institucioni!
Grupi yne arriti të ndërtonte një televizion me atë arkiv që citoni ju! Sipas meje ka disa vite që nuk është politika ajo që deformon nivelin artistik të RTSH por paaftësi e menexhimit në përthithje të personelit me ambicje krijuese!
Nga sa kam kuptuar, aty është mbytur roli i regjisorit apo gazetarit krijues! Vetëm këto figura krijojnë fytyrën artistike!
Sa për garën politike mendoj se RTSH është shumë komod, pasi forcat politike kanë nënshtruar kanalet private të cilat janë nonstop media në shërbim të përfaqësimit respektiv politik nën shëmbëlltyrën e shëmtuar të politikës siç behej në redaksitë politike në RTSH vite të shkuara, por ne të krijimtarisë artistike e kishim fituar garën me spektakle, koncerte, dokumentarë, drama apo filma!
Ne kishim publikun me vete! Baton, jepe kontributin tënd për t’i shërbyer publikut shqiptar me ide krijuese dhe jo shfaruese!
Kam bindje se distancimi nga format artistike apo programet ciësore sociale ka çimentuar distancimin nga publiku!
Lidhur me idenë për të ftuar specialistë nga BBC, kjo rrugë duhet ndjekur duke mos u mbyllur, por duke transformuar me ndërhyrje të veçanta!
Tokës i ndërrohen bimët por nuk e groposin! Po të thotë një njeri që punoi më se 30 vjet në atë institucion që e di çdo të thotë kontroll, censurë dhe dënime, por jo deri në këtë pikë siç po thua ti, pasi kam dëgjuar në këto kohë dhe fjalën asgjesim!
Hapësirat publike nuk janë të nevojshme vetëm për teritore, por edhe për botën e komunikimit, informacionit dhe artit”, shkruan Shanaj në reagimin e tij.