Deputeti i zgjedhur i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka ngritur akuza të forta ndaj autoriteteve për mënyrën e trajtimit të presidentit të kësaj force politike, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim prej muajit tetor 2024.
I ftuar në News24, Blushi deklaroi se ndaj Metës nuk ekziston asnjë provë që të justifikojë ndalimin dhe izolimin e tij ekstrem, duke theksuar se po i shkelen rëndë të drejtat bazë si person i paraburgosur.
“Kam një autorizim nga SPAK për të takuar Ilir Metën, por më është hequr pa dhënë asnjë arsye. Madje edhe avokatit i ndalohet ta takojë në mënyrë të rregullt,” u shpreh Blushi.
Ai nuk kurseu as kritikat për gjendjen në burgjet shqiptare, të cilat, sipas tij, janë kthyer në vende degradimi ekstrem.
“Shikoni çfarë ndodh sot në burgjet e vendit! Janë kthyer në kuplara, nuk ka ngelur eskortë pa shëtitur lartë e poshtë me individë me rrezikshmëri të lartë. Ndërsa një drejtues opozitar nuk lejohet të shohë as familjen,” deklaroi Blushi me tone të ashpra.