Ballina Ekonomia Fitimet e Sigal rriten me 20 për qind, kompania shpërndan 4 mln...

Fitimet e Sigal rriten me 20 për qind, kompania shpërndan 4 mln euro divident

25
0

Fitimi i kompanisë më të madhe të sigurimeve në vend u rrit me gati 20 për qind gjatë vitit të kaluar, falë rritjes së të ardhurave nga primet. Sipas bilancit të depozituar në Qendrën Kombëtar të Biznesit, për vitin e kaluar Sigal realizoi një fitim neto pas taksave në masën 3.91 milionë euro, nga 3.33 milionë euro që ishte fitimi neto i vitit 2023.

Aksionerët e kompanisë kanë vendosur që thuajse të gjithë fitimin ta shpërndajnë si divident. Sipas vendimit, nga fitimi neto i vitit 2024 në shumën prej 399,2 milionë Lekë, 381,5 milionë lekë janë vendosur që të shpërndahen si divident.

Nga këto 90 % i janë shpërndarë ish aksionerit UNIQA (aksioner i shoqerise me 90% te pjesmarrjes ne kapitat deri me 31.12.2024) dhe pjesa tjetër prej 10% është shpërndarë për aksionerin Avni Ponari.

Sipas vendimit, marrje e fitimit të vitit 2024 si divident ka qenë e sanksionuar në marrëveshjen e shitjeve të kuotave të shoqërisë nga grupi Uniqa tek themeluesi Avni Ponari.

Në 21 nëntor të vitit të kaluar, grupi Uniqa nënshkroi një marrëveshje për shitjen e 90 për qind të aksioneve që zotëronte tek shoqëria më e madhe e sigurimeve në Shqipëri tek biznesmeni Avni Ponari. çmimi i transaksionit nuk u bë publik, por vendimi i Uniqas për t’u larguar nga Shqipëria u argumentua nga grupi austriak me ndryshimin e strategjisë dhe nevojën për t’u fokusuar në tregjet e rëndësishme ku ai ka bazën e biznesit./kapital