Partia Demokratike Europiane (PDE/EDP) ka reaguar ashpër ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, pas publikimit të një investigimi të BIRN mbi përdorimin e forcës nga policia gjatë protestave në Tiranë.
Në një deklaratë publike, Demokratët Europianë shprehin shqetësim serioz për dhunën e raportuar ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve të medias, duke theksuar se ngjarjet ngrenë pikëpyetje mbi besueshmërinë demokratike të Shqipërisë dhe respektimin e standardeve europiane.
Duke iu referuar investigimit të BIRN, forca politike europiane thekson se të paktën 16 qytetarë janë raportuar të plagosur nga predha kinetike, ndërsa gjashtë gazetarë janë goditur gjatë raportimit të protestave.
Në deklaratë përmendet edhe rasti i Erjon Vishkullit, protestuesit të ri nga Elbasani, i cili rrezikoi të humbiste shikimin në njërin sy pasi u godit nga një plumb gome.
Demokratët Europianë kërkojnë llogaridhënie të drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama si dhe një hetim të pavarur për të zbardhur përgjegjësitë dhe për të përcaktuar se kush e autorizoi përdorimin e forcës.
Sipas tyre, një qeveri që pretendon se synon integrimin europian duhet të garantojë të drejtën e protestës, sigurinë e gazetarëve dhe respektimin e ligjit nga strukturat policore.
Deklarata e plotë e Demokratëve Europianë:
“Hetimi i BIRN ngre pikëpyetje serioze për qeverinë e Edi Ramës dhe besueshmërinë demokratike të Shqipërisë.
Sipas raportimeve, të paktën 16 qytetarë janë plagosur nga predha kinetike gjatë protestave në Tiranë. Gjashtë gazetarë janë goditur gjithashtu teksa mbulonin demonstratat.
Mes rasteve të raportuara është edhe Erjon Vishkulli, një protestues i ri nga Elbasani, i cili rrezikoi të humbiste shikimin në njërin sy pasi u godit nga një plumb gome.
Një qeveri që synon një të ardhme europiane duhet të mbrojë të drejtën e protestës, të garantojë sigurinë e shtypit dhe të sigurojë që forca të përdoret vetëm brenda kufijve të ligjit.
Kryeministri Rama dhe Ministria e Brendshme duhet të japin përgjigje të qarta. Një hetim i pavarur duhet të përcaktojë se çfarë ka ndodhur, kush e ka autorizuar përdorimin e forcës dhe si mund të parandalohet përsëritja e një dhune të tillë në të ardhmen.
Qytetarët e Shqipërisë meritojnë drejtësi, transparencë dhe standarde demokratike europiane.”







