Nga Klevi Elezi
Dekretimi i datës 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri hap zyrtarisht një kapitull të ri të konkurrencës politike. Por përtej kalendarit zgjedhor, ky moment duhet parë si një test për pjekurinë institucionale, përgjegjësinë politike dhe vetëdijen demokratike të shoqërisë shqiptare.
Një çështje që meriton vëmendje është edhe qëndrimi i disa forcave politike që nuk iu përgjigjën ftesës së Presidentit të Republikës për konsultime lidhur me datën e zgjedhjeve. Në një republikë kushtetuese, mospajtimi politik është legjitim, kritika ndaj institucioneve është e drejtë dhe bojkoti mund të jetë një instrument politik. Megjithatë, refuzimi i një procesi institucional konsultimi ngre pikëpyetje mbi kulturën e dialogut dhe respektin ndaj protokollit shtetëror.
Institucionet nuk janë pronë e individëve që i përfaqësojnë përkohësisht dhe as e forcave politike që konkurrojnë për pushtet. Ato janë pjesë e rendit kushtetues dhe duhet të mbeten mbi interesat e ditës.
Republika është e qytetarëve, jo e partive politike. Ky parim duhet të jetë themeli i çdo sjelljeje politike, pavarësisht nëse je në pushtet apo në opozitë.
Nga këndvështrimi i shkencave politike dhe juridike, zgjedhjet vendore nuk përfaqësojnë thjesht një mekanizëm për transferimin e pushtetit. Ato janë një instrument i demokracisë përfaqësuese dhe i vetëqeverisjes vendore, përmes të cilit qytetarët ushtrojnë drejtpërdrejt sovranitetin e tyre. Pikërisht për këtë arsye, rëndësia e tyre nuk duhet reduktuar në marrëveshje partiake, sondazhe apo përllogaritje elektorale.
Bashkitë janë niveli i qeverisjes më pranë qytetarit. Vendimet e tyre ndikojnë drejtpërdrejt në administrimin e territorit, shërbimet publike, infrastrukturën, zhvillimin ekonomik dhe cilësinë e jetës. Prandaj, zgjedhja e drejtuesve vendorë kërkon vëmendje, informim dhe përgjegjësi qytetare.
Shqipëria ka nevojë për një kulturë të re pjesëmarrjeje politike. Qytetarët nuk duhet ta konsiderojnë politikën si një hapësirë të mbyllur, të rezervuar për partitë dhe drejtuesit e tyre. Angazhimi qytetar duhet të nisë shumë përpara ditës së votimit: përmes debatit publik, organizimit komunitar, kërkesës për llogaridhënie dhe pjesëmarrjes në vendimmarrje.
Më 9 maj 2027, qytetarët do të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre për drejtimin e bashkive. Pjesëmarrja masive, e lirë dhe e ndërgjegjshme në zgjedhje është një nga treguesit e rëndësishëm të funksionimit të demokracisë. Abstinimi nuk duhet të kthehet në një alternativë ndaj pakënaqësisë politike, sepse hapësira që qytetari lë bosh në vendimmarrje mund të mbushet nga interesa që nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht interesin publik.
Nuk mjafton të kërkojmë institucione të përgjegjshme nëse nuk jemi të gatshëm të marrim pjesë në formësimin e tyre. Nuk mjafton të kritikojmë politikën nëse refuzojmë të bëhemi pjesë e saj.
9 maji nuk është thjesht një datë në kalendarin zgjedhor. Është një mundësi për të rikthyer qytetarin në qendër të vendimmarrjes. Sepse në një republikë demokratike, partitë konkurrojnë, institucionet garantojnë dhe qytetarët vendosin.







