Frekuentimi i linjave të trageteve në Portin e Durrësit ka shënuar rritje të ndjeshme këtë verë, krahasuar me vitet e kaluara. Gazetarja e Klan News, Enkeleda Arapi, raportoi në një lidhje direkte nga porti se fluksi i udhëtarëve është shtuar ndjeshëm, kryesisht nga emigrantët shqiptarë që zgjedhin të kalojnë pushimet pranë familjarëve të tyre.
Sipas të dhënave të Autoritetit Portual, vërehet se emigrantët nuk qëndrojnë më vetëm në zonat ku kanë jetuar më parë, por po zhvillojnë guida dhe udhëtime në të gjithë Shqipërinë, duke ndikuar në rritjen e turizmit në mbarë vendin.
“Ka një interes të shtuar edhe nga miqtë e tyre italianë apo shtetas të tjerë të huaj, të cilët së bashku po zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet e verës,” raportoi gazetarja Arapi.
Në krahasim me vitin e kaluar, sipas njoftimit nga Autoriteti Portual në bashkëpunim me agjencitë turistike që operojnë me traget në Portin e Durrësit, pritet një rritje prej 20% e udhëtarëve që do të hyjnë në vend përmes linjave detare.
“Që prej fillimit të korrikut, trafiku është ndjerë jo vetëm në qytet, por sidomos në akset që të çojnë drejt zonave turistike si Ura e Dajlanit, plazhet e Golemit dhe Kavajës, si dhe në Gjirin e Lalzit, që mbetet ndër më të frekuentuarit,” raporton gazetarja.