Patrullat e përbashkëta të policisë italiane dhe shqiptare po operojnë në zonat bregdetare në Durrës dhe Vlorë, një traditë partneriteti dhe miqësie, si dhe model bashkëpunimi, që kanë si qëllime rritjen e sigurisë publike në pikat me fluks turistësh.
mbasadori i Italisë në Shqipëri Marco Alberti, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilluan një vizitë ku takuan patrullat e përbashkëta shqiptaro-italiane që operojnë në zonat bregdetare të Durrësit.
Në fjalën e tij, kreu i policisë së Shtetit, Ilir Proda theksoi forcimin e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, në shërbim të qytetarëve për krijimin e një klime të sigurt për pushuesit italianë që zgjedhin Shqipërinë si destinacion si dhe lehtësimin e komunikimit me vizitorët dhe turistët e huaj.
“Siguria është pasaporta e imazhit të vendit tonë dhe, në këtë drejtim, prania juaj në terren është një mesazh i qartë: Shqipëria është e sigurt, mikpritëse dhe e hapur. Patrullimi i përbashkët është një model i suksesshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një garanci konkrete për sigurinë e qytetarëve dhe turistëve”, tha Proda.
Ambasadori italian falënderoi drejtorin dhe punonjësit e Policisë së Shtetit për punën e përbashkët, si dhe u shpreh se pjesëmarrja e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë mirëseardhje është “nder dhe privilegj”.
Në Durrës, pikën simbolike të takimit ndërmjet dy shteteve, Ambasadori u shpreh gjithashtu:
“Ky bashkëpunim nuk është njëkahësh; gra dhe burra të Policisë shqiptare do të jenë së shpejti të pranishëm në Itali, pasi qëllimi ynë është të intensifikojmë shkëmbimin e aftësive dhe eksperiencave profesionale mes dy policive”, tha Ambasadori italian në Tiranë, Marco Alberti.
Në përfundim të vizitës, Drejtori Proda garantoi Ambasadorin se Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, jo vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe përballë sfidave të përbashkëta në fushën e rendit dhe sigurisë.