Ballina Lifestyle Ndërron jetë legjenda e jazz-it britanik, Cleo Laine, në moshën 97-vjeçare

Ndërron jetë legjenda e jazz-it britanik, Cleo Laine, në moshën 97-vjeçare

17
0

Dama Cleo Laine, një prej ikonave më të mëdha të muzikës jazz në Britani, është ndarë nga jeta në moshën 97-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga familjarët e saj, të cilët njoftuan se këngëtarja ndërroi jetë paqësisht, e rrethuar nga të afërmit.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të nënës sonë të dashur, Cleo”, thanë Jacqui dhe Alec Dankworth në një deklaratë zyrtare.

“Ajo solli kaq shumë muzikë dhe dritë në botë dhe jetët tona. Kërkojmë privatësi ndërsa e kujtojmë me dashuri dhe mirënjohje.”

Për gati tetë dekada, Laine ishte një figurë kyçe në skenën britanike të jazz-it, e njohur për vokalin e veçantë, improvizimin e rrallë dhe interpretimin dramatik. Ajo performoi përkrah emrave të mëdhenj si Duke Ellington, Ray Charles dhe Frank Sinatra.

Përveç talentit të saj muzikor, Laine u vlerësua edhe për ndikimin që pati në thyerjen e barrierave gjinore dhe racore në një zhanër tradicionalisht të dominuar nga meshkujt amerikanë. Ajo mbetet e vetmja artiste femër që është nominuar për çmimet Grammy në kategori të ndryshme, përfshirë muzikën jazz dhe atë klasike.

Në vitin 1997, Cleo Laine u nderua me titullin Damë nga Mbretëresha, duke u bërë këngëtarja e parë britanike e jazz-it që mori këtë vlerësim të lartë për kontributin e saj në kulturë.

Artistja do të përcillet me një ceremoni private, ndërsa më vonë gjatë vitit do të organizohet një koncert përkujtimor për të nderuar trashëgiminë dhe ndikimin e saj të jashtëzakonshëm në muzikën britanike dhe atë botërore.