Ballina Politika “Mjeshtrat e sistemit zgjedhor zhgënjyen votuesit”- Ilir Alimehmeti komenton rezultatin e 11...

“Mjeshtrat e sistemit zgjedhor zhgënjyen votuesit”- Ilir Alimehmeti komenton rezultatin e 11 Majit

18
0

Demokrati Ilir Alimehmeti, i ftuar në emisionin “Kjo Javë”  me moderatore Nisida Tufën, deklaroi se përvoja e tij në fushatën e fundit i dha një pamje të qartë të pasojave që ka sjellë reforma e fundit zgjedhore, të cilën e cilësoi si të gabuar dhe zhgënjyese për qytetarët.
Alimehmeti u shpreh se mungesa e demokracisë së drejtpërdrejtë është një nga problemet më të mëdha që vërehen në sistemin aktual.

Sipas tij, reforma ka sjellë një largim të përfaqësuesve nga qytetarët, duke e zëvendësuar deputetin e zonës me deputetin e qarkut, gjë që, sipas tij, dëmton lidhjen mes elektoratit dhe përfaqësuesve të tij.

“Nuk është zhgënjim personal – mora mbi 18 mijë vota. Por është një zhgënjim për qytetarët. Sot nuk kemi më përfaqësim real,” – u shpreh Alimehmeti.

Ai theksoi se “mjeshtrat e sistemit” kanë ndikuar negativisht në përfaqësimin demokratik, duke sjellë një sistem ku partitë vendosin, dhe jo më qytetarët.

Nisida Tufa: Kanë kaluar disa kohë nga zgjedhjet, a keni ju zhgënjim?

Ilir Alimehmeti: Jo, personalisht asnjë zhgënjim. I falënderoj shumë mbi 18 mijë votuesit, ky nuk është zhgënjim, problemi është se mjeshtrat e sistemit zgjedhor zhgënjyen votuesit. Kjo është një lloj strategjie që zgjedhin këto lloj mjeshtrash për t’i larguar gradualisht të zgjedhurit nga zgjedhësit dhe për t’i bërë njerëzit gjithmonë e më pak të interesuar për politikën, duke i bërë të pavlefshëm, sepse në fund ne e dimë vetë se si i mbyllim këto gjëra. Çdo palë zgjedhje kemi një reformë zgjedhore edhe më të keqe. Jemi larguar nga demokracia e drejtpërdrejtë. Sepse pyetja e parë që më drejtohej ishte: A je kandidat për deputet i zonës? Sot ne mund të flasim vetëm për deputet qarku, jo zone.