Ballina Kronika I dehur në timon dhe refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit, arrestohet...

I dehur në timon dhe refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit, arrestohet 75-vjeçari nga Kosova në Lezhë

11
0

Një 75-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Lezhës.

Ndërhyrja erdhi në kuadër të planit të masave dhe informacionit për manovrat e rrezikshme të drejtuesit gjatë udhëtimit në zonën e Shëngjinit.

I ndaluari është një 75-vjeçar nga Kosova, që doli me 2,32 mg/l alkool në gjak.

Njoftimi i policisë:

Në kuadër të planit të masave për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, shërbimet e Policisë Rrugore kanë intensifikuar kontrollet në zonat turistike dhe në akset me fluks të lartë automjetesh.

Shërbimet e Policisë morën informacion për një drejtues automjeti që dyshohej se po qarkullonte në gjendje të dehur në zonën e plazhit të Shëngjinit. Pas kontrolleve në terren, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan  automjetin për të cilin disponohej informacioni, në drejtim të të cilit ishte shtetasi F. G., i cili shfaqte shenja të dukshme të gjendjes së dehur dhe fillimisht refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit.

Pas shoqërimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ky shtetas pranoi të testohej me aparatin alkooltestues Dräger, ku rezultoi: Testi i parë 2.43 mg/l dhe testi i dytë 2.32 mg/l.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi F. G., 75 vjeç, nga Kosova, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të mos drejtojnë automjetet nën efektin e alkoolit, në gjendje të dehur apo nën efektin e substancave narkotike, pasi sjellje të tilla përbëjnë rrezik të shtuar për jetën dhe sigurinë në rrugë.

Në këtë periudhë me fluks të lartë qarkullimi dhe pushuesish, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur përbën një kërcënim serioz për jetën e të gjithëve. Respektoni rregullat e qarkullimit, mbroni  jetën!