Ballina Politika “Është hartuar nga ekspertë”/ Kodi i ri Penal, Rama: Ky draft s’kalon...

“Është hartuar nga ekspertë”/ Kodi i ri Penal, Rama: Ky draft s’kalon në Parlament pa vulën e Brukselit

19
0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot edhe për opinionet e kundërta që janë shprehur për Draftin me ndryshimet në Kodin e Ri Penal, përfshi edhe ato të shoqatave të gazetarëve që bënë thirrje për ndërhyrje urgjente. Kreu i qeverisë sqaroi se ata nuk janë pjesëmarrës në hartimin e draftit, por një nga palët e përfshira, pasi ky proces është kryer nga ekspertët.

Me një postim në rrjetin social X, kreu i mazhorancës shprehet se ky Draft pasi të konsultohet dhe diskutohet nga të gjitha palët e ftuara, përfshi edhe Qeverinë, do të konsultohet gjithashtu edhe me Komisionin Europian dhe në fund për të marrë ‘vulën’ e BE-së, pasi pa vendimin e saj ky Kod nuk kalon.

“Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament!”, shprehet kryeministri mes të tjerash.

Gjithashtu ai e mbyll statusin e tij edhe me një kujtesë për mediat dhe publikun, se Shqipëria po shkon drejt BE-së dhe jo ish-Bashkimit Sovjetik.