Ballina Kosovë Kushtetuesja: Kreu i ri i Kuvendit të Kosovës të zgjidhet përmes votimit...

Kushtetuesja: Kreu i ri i Kuvendit të Kosovës të zgjidhet përmes votimit të hapur

75
0

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi sot, më 8 gusht, që deputetët e kuvendit duhet ta zgjedhin kryeparlamentarin përmes votimit të hapur dhe konstituimi duhet të kryhet brenda 30 ditëve.

Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të 26 qershorit dhe shtoi se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese urdhëroi Deharin që të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditësh, të miratuar më 8 prill për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit. Ajo thekson se ai duhet të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin për kryeparlamentar, duke theksuar se “zgjidhet përmes votimit të hapur” dhe se votimi “mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Gjykata Kushtetuese urdhëroi po ashtu deputetët e kuvendit që të jenë të gjithë të pranishëm dhe të votojnë.

Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, e cila u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës. Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, lëndë për të cilat shpalli aktvendimin të premten, më 8 gusht.