Nga Feti TUNUZLIU
Përkrah dokumenteve nga më të ndryshme në arkivin familiar të Bejtullah (Ibrahim) Zërzës (1965) nga Prishtina, vazhdon të ruhet me patos të lartë në mënyrë klasike origjinali i një fotografie të figurës, përkatësisht fytyrës së Hasan Prishtinës (27 shtator 1873, Vushtrri – 13 gusht 1933, Selanik), veprimtarit të lëvizjes kombëtare të Rilindjes me të cilin ndërlidhet familja Zërza n’aspektin gjenealogjik.
Ç’është e vërteta, nikoqiri ynë Bejtullah Zërza i cili administron lëndën arkivore të fondit privat të familjes së tij, pretendon se qe tetë vite pason aktivitetin e babait të vet fondkrijues Ibrahim Aziz Zërza (1935-2017) duke vazhduar që të ruaj me pasion të madh dhe përkujdesje të veçantë këtë lëndë arkivore.
Përkitazi me prejardhjen e familjes së vet sipas trungut familiar, Bejtullah Zërza shprehet i bindur se, gjyshi i tij – Aziz Zërza ka qenë i biri i Abdylhamitit dhe nipi i Ibrahimit. Ky i fundit ishte i biri i Haxhi Sallahut, gjyshit të Hasan Prishtinës nga nana.
Përndryshe, imazhin e ngjashëm fotografik të atdhetarit Hasan Prishtinës që ilustrohet në këtë fotografi të cilën na e ofron për shiqim poseduesi Bejtullah Zërza, e kemi ndeshur mjaft dendur të publikuar nëpër kopertina dhe faqe librash, revistash, gazetash, emisione televizive dhe të prezentuar nëpër ekspozita, galeri, biblioteka, etj.
Fshehja e fotografisë origjinale nëpër kohë dhe gjendja aktuale e saj
Ky eksponat arkivor nuk është bërë publik kurrë, në asnjë kohë. Familja Zërza gjithmonë ka heshtur me vendosmëri duke mëtuar kësisoj që publiku i gjerë të mos ketë fare njohuri apo informata se një eksponat i tillë është pjesë e fondit të arkivit privat të kësaj familjeje.
Së këndejmi, askush nuk ka patur qasje vizuele asnjëherë as për ta fotografuar, lere më për të disponuar a poseduar me synim transparence.
Mbajtja në fshehtësi të plotë e të thellë të këtij arketipi është bërë, siç pohon Bejtullah Zërza, nga frika prej persekutimeve nga më të ndryshme të cilave mund t’i nënshtrohej veçanërisht kryefamiljari dhe ate sidomos në kohë turbullirash politike kur destabilizohej Kosova të ngjizura nga regjimet okupuese të kohërave të shkuara.
Përndryshe, gjendja e përgjithshme fizike dhe vizuele e këtij artefakti të trashëguar me kaq ankth e fanatizëm brez pas brezi nga familja Zërza duket të jetë e mirë, e pa dëmtuar, përveç se shihet mirëfilli se fotoja është e vjetër. Ndërkohë që, e njejta ka mungesë totale të dhënash relevante që i referohen autorësisë së fotografit, datës e vendit të fotografimit, etj.
Parë nga këndvështrimi i madhësisë fizike, vetëm portreti i personazhit historik Hasan Prishtina ka gjatësi 40 cm. dhe gjërësi 30.5 cm. Ndërsa, kartoni i fortë sipër të cilit është kapur me ngjitës ka trashësi 0.4 mm., gjatësi 52 cm. dhe gjërësi 35.05 cm. Portreti është punuar bardhezi, sipas teknologjisë së kohës.
Është interesant fakti se nga reflektimi i dritës mbi sipërfaqen e portretit të Hasan Prishtinës vërehen gjurmët autentike të disa vijave të holla nga shtypja e grafitit të lapsit të shkuar në pakthim. Ndërkaq, në shpinë të kartonit sipër të cilit është ngjitur portreti i Hasan Prishtinës, na ngacmojnë kureshtjen gjurmët e këtyre fjalëve të shkruara me laps grafit: “14 agustoda 1933 senesende Hasan Bey vuruldi Selanikta”.
Pas dëshifrimit të tyre goxha me vështirësi nga ana e nikoqirit tonë Bejtullah Zërza, i njejti sqaron se kjo fjali është shkruar me alfabetin e gjuhës turke, ndërsa e shqipëruar ka këtë kuptim: “Më 14 gusht të vitit 1933 Hasan Beu u vra në Selanik”. Tutje, shton ai, kjo fjali është përsëdytur tekstualisht me laps grafit nga babai i tij, i ndjeri Ibrahim Zërza duke e shkruar me laps kimik sepse origjinali i shkruar me laps grafit qe zbehur mjaftë shumë gjë që vështirësonte deshifrimin e plotë të saj.
Një ekspertizë profesionale do ishte më se e dobishme
Në vijimësi të shpalosim vetëm një aspekt që i atribuuohet historikut të fotografisë origjinale, fotografisë si akt i shkrepjes me objektivin e aparatit fotografik të kohës.
Ky aspekt konsiston në faktin se lidhur me vjetërsinë e kësaj ikone specifikisht mund të ndihmojnë me besueshmëri të lartë vetëm profesionistët – ekspertët, përkatësisht specialistët me përgatitje adekuate, me njohuri dhe eksperiencë profesionale, natyrisht, mbështetur në parime, rregulla dhe metoda shkencore.
Kujtoj se përmes procesit të ekspertizës së këtij ekzemplari, mbase do shpërfaqeshin praktikisht disa zgjidhje, e ne po i veçojmë vetëm dy: e para – ky eksponat do klasifikohej, përpunohej, restaurohej, konservohej dhe digjitalizohej me teknologjinë informative të botës moderne duke i marrë tiparet e dokumentit elektronik.
Kësisoj, do evitohej problemi i ruajtjes së portretit, përkatësisht fotos prej vetshkatërrimit fizik potencialisht prej acidit të letrës që ajo përmban në vetvete dhe e dyta – eksponati unikal, do evitohej nga çdo lloj improvizimi subjektiv dhe interpretimi arbitrar lidhur me jetëgjatësinë e tij që nga koha e shkrepjes së aparatit optik nën veprimin e rrezeve të dritës, deri më sot.