Një tragjedi në punë ka ndodhur në Romë ku një guidë turistike, e cila u sëmur ndërsa punonte te Koloseu një ditë më parë dhe humbi jetën. Sipas mediave italiane pavarësisht përpjekjeve të shpejta të kolegëve në Parkun Arkeologjik, nuk mundi të mbijetonte.
Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës teksa shpreh ngushëllimet kritikon autoritetet që nuk pezulluan punën por rihapën monumentin për publikun menjëherë pas aksidentit.
“Ndërsa presim sqarime mbi shkakun e vdekjes, duke filluar me orarin e saj të punës dhe temperaturat, shprehim ngushëllimet tona më të thella për ndarjen nga jeta të Giovanna Maria dhe ngushëllimet tona më të thella familjes dhe të dashurve të saj”, thuhet në një deklaratë nga CGIL (Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës).
Sindikata shpjegon se “ky emër i bashkohet listës të gjatë të njerëzve që kanë humbur jetën në punë dhe na bën përgjegjës për të mbajtur në qendër të vëmendjes kushtet e punës në botën kulturore, të cilat duhet domosdoshmërisht të ndryshojnë dhe të përmirësohen”.
Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës kundërshton vendimin për rihapjen e monumentit menjëherë pas tragjedisë.
“Në këtë tragjedi, me keqardhje vërejmë se, edhe një herë, kur një person vdes në punë, aktivitetet e punës nuk pezullohen”, vazhdon sindikata, duke vënë në dukje se “prandaj ne e dënojmë vendimin për rihapjen e monumentit pavarësisht ngjarjes tragjike. Është e vërtetë që turet me guidë rezervohen nga publiku shumë kohë më parë, por ndjenjat e ngushëllimit duhet të mbizotërojnë mbi çdo ngjarje apo iniciativë”.
Ngushëllime ka shprehur edhe Ministria italiane e Turizmit: “Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Giovanna Maria Giomarino, një guide turistike në Koloseu, ndërsa kryente punën e saj të paçmuar.”
Ministrja e Turizmit Daniela Santanchè shprehu ngushëllimet e saj familjes, miqve dhe kolegëve “që kanë humbur një profesioniste të përkushtuar dhe të apasionuar”. “Mendimet e mia janë me të gjithë ata që, si Giovanna, ia kushtojnë jetën e tyre përmirësimit të trashëgimisë sonë kulturore. Është detyra jonë t’i bëjmë homazh angazhimit të tyre duke siguruar një mjedis pune që respekton përkushtimin dhe sakrificën e tyre.”