Ballina Politika PD: Takime dhe lidhje konfidenciale, a e ka kthyer Edi Rama Shqipërinë...

PD: Takime dhe lidhje konfidenciale, a e ka kthyer Edi Rama Shqipërinë si ‘zonë të sigurtë’ për Sorosin?

28
0

Partia Demokratike  ka nxjerrë në dritë takimet e shumta të Alex Soros me Kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke theksuar se frekuenca e lartë e dokumentimit të këtyre kontakteve përmes fotove dhe postimeve është e pazakontë dhe tregon një raport të ngushtë “vëllazëror” mes tyre.

Zëdhënësja e Departamentit të Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, në një deklaratë për mediat shprehet se ndryshe nga figura të tjera të huaja, Alex Soros ka zgjedhur ta publikojë rregullisht marrëdhënien me Kryeministrin, duke shpërndarë foto dhe momente nga takimet e tyre. Megjithëse këto publikime përbëjnë vetëm një pjesë të kontakteve reale, ato sipas PD-së japin një pamje të qartë të frekuencës së takimeve.

Në të dhënat e publikuara për viteve 2021–2025 rezulton se Soros ka zhvilluar shumë takime me Ramën, përfshirë pushime verore dhe vizita të tjera konfidenciale.

PD kërkon që këto takime, fluturimet e Soros drejt Shqipërisë dhe qëllimet e tyre të hetohen zyrtarisht, gjithashtu akuzon gjithashtu se Shqipëria po përdoret si vend i sigurt dhe i fshehtë për takime konfidenciale, larg vëmendjes së mediave dhe shërbimeve ndërkombëtare të inteligjencës.

Vangjeli gjithashtu iu referua akuzave të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Soros dhe kërkesës që aktiviteti i tij të hetohet sipas Aktit RICO, duke theksuar se FBI duhet të përfshijë edhe aktivitetet e George dhe Alex Soros në Shqipëri në kuadër të hetimeve në SHBA.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Ndryshe nga çdo figurë tjetër e huaj, Alex Soros ka zgjedhur ta dokumentojë vazhdimisht raportin me Kryeministrin shqiptar, duke publikuar foto dhe momente nga takimet me të.

Pakrahasimisht me çdo personalitet tjetër frekuenca e fotove të publikuara nga takimet me Ramën tregon vetëm një pjesë të kontakteve ndërmjet tyre.

Edhe pse në përqindje shumë më të ulët sesa takimet e tyre reale, frekuenca e fotove të publikuara nga vetë Soros me Ramën është jo vetëm e pazakontë, por tregues i konfidencës ‘vëllazërore’ siç e quan Alex në postimet e tij.

Nga të dhënat e publikuara, vetëm në vitet e fundit rezulton se Alex Soros ka zhvilluar takime të shumta me Kryeministrin Rama, përfshirë:

• 2021: pushimet, edhe në shoqërinë e KM Rama, gjatë korrikut deri më 2 shtator, si dhe një tjetër takim më 13 nëntor;

• 2022: takime më 9 qershor, 25 gusht, 4 shtator, 23 shtator, 12 nëntor;

• 2023: takime më 17 shkurt, 21 maj, 4 korrik, 3 shtator, 21 shtator, 10 nëntor;

• 2024: takime më 24 janar, 19 shkurt, 5 mars, 18 maj, 8 korrik, 29 gusht, 28 shtator;

• 2025: takime të dokumentuara më 23 janar, 17 shkurt dhe në qershor.

Nga këto publikime, del qartë se Alex Soros disa herë në vit, me kohëzgjatje të pazakontë, takohet me Kryeministrin Rama, shpesh në Shqipëri, ku sipas tij, përfundimi i sezonit veror pranë ‘vëllait të tij’ Edi Rama është kthyer tashmë në traditë.

Partia Demokratike kërkon që të hetohen zyrtarisht këto takime, fluturimet e Alex Soros drejt Shqipërisë, arsyet e vërteta të tyre, si dhe çdo veprim i ndërmarrë nga këto kontakte.

Ka zëra që flasin për mundësimin nga Edi Rama të takimeve konfidenciale të Soros, duke përdorur Shqipërinë si një vend të sigurt e të fshehtë, larg syve të mediave dhe shërbimeve ndërkombëtare të inteligjencës.

Ciladoqoftë e vërteta, ajo duhet zbardhur, sidomos tani në dritën e akuzave të Presidentit Trump kundër Soros dhe kërkesës që të hetohet sipas Aktit RICO në Shtetet e Bashkuara.

PD përsërit thirrjen për FBI që, në kuadër të hetimeve në Amerikë të përfshijë edhe aktivitetin e George e Alex Soros në Shqipëri.