I riu i dyshuar për sulmin dhe plagosjen me thikë të një mësueseje në një shkollë profesionale në Essen u arrestua. Policia e Essenit konfirmoi për Agjencinë Gjermane të Lajmeve se 17-vjeçari nga Kosova u arrestua pranë stacionit kryesor të trenit. Sipas njoftimit gjatë arrestimit policët qëlluan me armë ndaj të dyshuarit dhe e plagosën. Tani po merr trajtim mjekësor.
Hetuesit thanë se ai e kishte goditur me thikë viktimën e tij “disa herë”. Mësuesja, 45 vjeç, u plagos rëndë dhe po trajtohet tani në spital.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e ngjarjes.
Ministrja e Arsimit të landit NRW, Dorothee Feller, shprehu pikëllimin e saj për sulmin ndaj mësueses. “Mendimet e mia janë me kolegen e plagosur, familjen e saj, nxënësit dhe të gjithë stafin”, deklaroi ministrja. Shkolla po mbështetet nga inspektorati shkollor dhe nga psikologu i shkollës. Është e rëndësishme që nxënësit dhe mësuesit të mos jetë vetëm tani, tha ministrja./DW