Hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) po ngushtojnë gjithnjë e më shumë rrethin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Pas çështjeve të njohura të “Partizanit”, “21 janarit” dhe dosjeve të tjera të rënda, mbi tryezën e prokurorëve të SPAK ka mbërritur tashmë një dosje e bujshme me akuza tronditëse të Izet Haxhisë, ish-truprojës së Berishës, i cili ndodhet në burg dhe ka vendosur të flasë hapur për planet kriminale dhe atentatet që ia atribuon atij.
Avokati i Haxhisë, Idajet Beqiri, e konfirmoi ekskluzivisht për Gazeta Sot se një nga akuzat më të rënda që SPAK ka marrë në shqyrtim lidhet me një plan makabër të Berishës për të hedhur në erë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Sipas Beqirit, dëshmitar okular i këtij skenari ka qenë vetë Izet Haxhia. “Jo vetëm që më ka pranuar mua, por në vitin 2019 Haxhia ka depozituar një kallëzim penal nën përgjegjësi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ky kallëzim është marrë më pas nga SPAK dhe është regjistruar si procedim penal. Bëhet fjalë për një urdhër të Berishës që përfshinte edhe atentatin kundër ambasadores amerikane Marisa Linos”, tha Beqiri gjatë një reagimi për gazetën “SOT”.
Çfarë ka thënë Izet Haxhia publikisht?
“Ka qenë muaj maj më duket, ishte koha kur Pjetër Arbnori ishte i ftuar për një vizitë në SHBA nga Kongresi Amerikan. Ishte krijuar opinioni në të gjithë se SHBA i kishte hequr vizën e kuqe Berishës dhe po përkrahte të majtët për të ardhur në pushtet. Ishte një rast i mirë për të treguar se të majtët antiamerikanë u zhgënjyen nga kjo vizitë e Arbnorit që i jepte kredibilitet PD-së së shkatërruar. Duke u nisur nga kjo, më thërret Berisha në zyrë e më thotë që “asaj lavires (e kishte fjalën për Mariza Linon, ambasadoren amerikane në atë kohë në Tiranë) duhet t’i japim një mësim të mirë për të gjitha ato që ka bërë kundër nesh, sepse ajo po punon kundër Shqipërisë, është e lidhur me lobet greke antishqiptare në Amerikë etj. Ti mund ta godasësh atë”, më tha. Të mendohem, i thashë e të bëj planin për këtë. Në atë kohë, vërtet edhe unë isha i mendimit se Lino po punonte në mënyrë të tillë.
Por kur bëhej fjalë për një vend si Amerika, thashë të pyesja dikë që njihte mirë politikën e jashtme dhe Amerikën. I them Mero Bazes se po të godisja Ambasadën Amerikane, kuptohet sipas planit tim, pa më thënë njeri, çfarë mund të ndodhte. Më tha: “Në mënyrë absolute mos ndërmerr një veprim të tillë, sepse Shqipëria humbet pavarësinë e saj dhe fiton armiqësinë e Amerikës”. Megjithëse kisha bërë planin për ta goditur nga disa pika Ambasadën Amerikane, pas kësaj që më tha Mero Baze, hoqa dorë nga plani. Pas disa ditësh më thërret Berisha dhe më thotë se çfarë kisha bërë për atë porosinë. I thashë që është e pamundur, sepse Ambasada ruhet nga forcat marinse të Amerikës dhe policia shqiptare. “Ti nuk ke dashur ta bësh!”, më tha i zemëruar. Ky ka qenë komunikimi i fundit i imi me Berishën president”, ka thënë disa kohë më parë Izet Haxhia.
Por kjo nuk është e vetmja akuzë. Sipas avokatit Beqiri, SPAK ka të regjistruara krahas kësaj edhe 19 krime të tjera të rënda që Izet Haxhia ia ngarkon Sali Berishës. Këto përfshijnë vrasje misterioze, atentate të frikshme, dhe një sërë ngjarjesh të errëta të periudhës së trazuar pas vitit 1997. “Dosja e Haxhisë është një dosje e rëndë, që përfshin fakte, dëshmi dhe detaje të një epoke ku pushteti i Berishës shoqërohej me akte kriminale të pashembullta. Të gjitha këto janë tashmë në duart e SPAK-ut”, theksoi Beqiri. Me këtë dosje të re, e cila i shtohet një sërë hetimesh të tjera ku emri i Berishës del si i përfshirë, ish-kryeministri duket se është futur në një “rrethim” ligjor nga i cili është e vështirë të dalë. Male akuzash po grumbullohen në SPAK ndaj tij, ndërsa prokurorët duket se po përgatisin terrenin për një hetim të plotë që mund të shënojë një kthesë të madhe në historinë politike dhe gjyqësore të Shqipërisë.
Disa nga dëshmitë e ish-truprojës së Sali Berishës
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë. /Sot