Ish-drejtuesi i zyrës së kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal i ka dhënë informacione punonjësit të një grupi kinez që bënte biznes me familjen e ish-presidentit Joe Biden për arrestime të planifikuara lidhur me një hetim penal, duke komprometuar integritetin e hetimit, sipas kryeinspektorit të Departamentit të Drejtësisë.
McGonigal, i cili drejtoi divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në 2018, u dënua me 50 muaj burg federal në 2023 për bashkëpunim me një oligark rus për të shmangur sanksionet amerikane, por informacionet e tij për hetimin e FBI-së mbi China Energy Fund Committee (CEFC), ekzekutivin e saj kryesor Patrick Ho dhe kompanitë e lidhura, u bënë publike vetëm të enjten nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të DOJ-së.
Ndërsa mbikëqyrte hetimin e FBI-së ndaj CEFC, McGonigal u takua me një zyrtar shqiptar, Dorian Duçka që punonte për CEFC në qershor 2017 dhe i tha atij ‘diçka në kuptimin e ‘po i hetojmë’ ose ‘po shkojmë pas tyre’.
Duçka i ka thënë FBI-së gjatë seancës së marrjes në pyetje, ‘se e kuptoi ‘ne’ si FBI dhe ‘ata’ si CEFC China ose CEFC NGO,’ vuri në dukje raporti i inspektorit të përgjithshëm.
Në atë kohë, dijenia për hetimin ishte ‘e kufizuar në një numër të vogël të personelit qeveritar.’
Duçka udhëtoi në Uashington DC, ditën pas takimit të tij me McGonigal dhe i njoftoi Patrick Ho për atë që kishte mësuar nga mole i FBI-së.
Ai paralajmëroi Ho se besonte se zyra kishte plane për ta arrestuar atë dhe potencialisht të tjerët të përfshirë me CEFC.
Dorian Duçka më vonë ndau informacionin për arrestimet e pritshme, me Kryetarin e CEFC China, Ye Jianming, i cili paralajmëroi një tjetër objektiv të FBI-së, i identifikuar si ‘Target 3’ në raport, për mundësinë e arrestimeve të afërta.
Në nëntor 2017, Dorian Duçka ka kontaktuar me McGonigal pasi kishte marrë një ftesë nga Ho për të marrë pjesë në një ngjarje të sponsorizuar nga CEFC në Nju Jork.
Duçka nuk ishte në SHBA në atë kohë dhe dukej se po mendote idenë e pjesëmarrjes në këtë aktivitet, duke pasur parasysh hetimin e FBI-së ndaj CEFC.
Por McGonigal e kishte këshilluar Duçkën që të ‘qëndronte në Shqipëri,’ sipas raportit.
Zyrtari i FBI-së gjithashtu tha diçka në kuptimin e ‘jemi gati për ta’ ose ‘gati për veprim,’ ka thënë Duçke në dëshminë e tij për FBI-në.
Dorian Duçka pretendon se nuk e kaloi këtë informacion te askush në CEFC, dhe Ho mori pjesë në ngjarje dhe u arrestua për ryshfet dhe larje parash kur mbërriti në SHBA nga Kina.
Dokumentet e siguruara nga Komiteti i Mbikëqyrjes së Dhomës tregojnë se djali i ish-presidentit Hunter Biden i referohej Ho, zëvendës-kryetarit të CEFC, si klientit të tij dhe ‘kreut të shërbimit sekret kinez’.
Ho ra dakord të paguante Hunter një honorar prej 1 milion dollarësh për ‘Këshillim mbi çështjet e ligjit amerikan dhe këshillim lidhur me punësimin dhe analizën ligjore të çdo Zyre Ligjore apo Avokati në SHBA,’ sipas dokumenteve.
Në korrespondencën tjetër midis Hunter dhe CEFC, ai tha se çdo marrëveshje e arritur do të ishte ‘interesante për mua dhe familjen time.’
Hunter dhe i ati i tij James Biden fituan 4.8 milion dollarë nga kompania anëtare e CEFC, CEFC China Energy, në 2017 dhe 2018.
Ndërsa FBI hetonte rrjedhjet e informacionit, doli në përfundimin, se Ho ‘vendosi të merrte pjesë në ngjarjen e CEFC pasi James Biden ose një individ tjetër, me shumë mundësi, i tha Ho, duke u mbështetur në informacion të dhënë nga një hetues privat, se ishte e sigurt për Ho të kthehej në SHBA.’
Raporti i inspektorit të përgjithshëm thekson se FBI intervistoi një agjent të dalë në pension të Shërbimit Sekret të SHBA-së që punonte si hetues privat dhe i tha zyrës se James Biden i kishte dërguar një kërkesë në nëntor 2017 për të përcaktuar nëse ekzistonte një urdhër arresti për Ho.
‘Rreth rastit të ri kam nevojë ASAP, jam në Hong Kong,’ lexonte në emailin e James Biden te agjenti i pensionuar.
‘Kemi informacion mbi një individ për të cilin kam nevojë për një verifikim të një çështjeje specifike. Kohë e shkurtër. Faleminderit Jim [numri i telefonit]. Ju lutem telefononi,’ lexonte mesazhi.
Në një telefonatë, James Biden i tha hetuesit privat të ish-agjentit të Shërbimit Sekret se ‘kemi informacion nga Kina se Ho mund të arrestohet’ dhe se Ho dëshironte të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara, por ishte i shqetësuar për një urdhër të mundshëm arresti.
Hetuesi privat, duke punuar me një tjetër ish-agjent të Shërbimit Sekret, e shqyrtoi informacionin, por nuk mundi të gjejë një urdhër aktiv arresti për Ho ose tre individë të tjerë për të cilët James Biden pyeti.
Hetuesi privat, megjithatë, paralajmëroi James Biden se urdhrat e arrestimit janë ‘të ndjeshëm’ dhe nuk shfaqen gjithmonë në bazat e të dhënave që ai dhe partneri i tij kontrolluan.
Raporti nuk akuzon James Biden për ndonjë keqbërje dhe nuk përmend Hunter Biden.
James Biden i tha Kongresit gjatë dëshmisë në shkurt 2024 se nuk planifikonte të informonte Ho për atë që kishte mësuar nga hetuesit privat.
‘Absolutisht jo,’ insistoi vëllai i ish-presidentit.
‘Unë vetëm doja të dija, ju e dini, nëse kishte ndonjë problem me Patrick Ho. Jo për të informuar apo ndonjë gjë tjetër. Vetëm për identifikimin tim,’ shtoi James Biden.
‘Veprimet e McGonigal, ndërsa shërbente si një zyrtar i lartë i FBI-së i besuar me mbikëqyrjen e çështjeve të ndjeshme të kundërzbulimit dhe penale, ishin të jashtëzakonshme dhe njollosën vlerat themelore të FBI-së për integritet, llogaridhënie dhe lidership që priten nga të gjithë punonjësit e FBI-së,’ tha raporti i inspektorit të përgjithshëm për veprimet e agjentit të diskredituar.
‘Përmes skemës së tij, McGonigal me qëllim dëmtuan një çështje të rëndësishme penale, shkelën besimin publik dhe komprometuan integritetin e FBI-së,’ përfundoi raporti.