Ballina Ekonomia Ndërmarrjet shtetërore, Albpetrol, Albgaz dhe Hekurudha Shqiptare mbyllën 2024 me humbje, edhe...

Ndërmarrjet shtetërore, Albpetrol, Albgaz dhe Hekurudha Shqiptare mbyllën 2024 me humbje, edhe muajt e parë të 2025 në terren negativ

19
0

Ministria e Financave ka publikuar të dhënat e performancës financiare në 5-mujorin e parë të vitit 2025 për gjashtë ndërmarrje dhe entitete me ndikim të lartë në financat publike: Albcontrol, Albgaz, Albpetrol, Hekurudha Shqiptare, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë (UKT) dhe Autoriteti Portual Durrës.

Ndërmarrjet me fitim

Albcontrol sh.a. mbylli tremujorin e parë 2025 me të ardhura 844 milionë lekë dhe fitim neto 220 milionë lekë, duke ruajtur trendin pozitiv të vitit 2024, kur kishte realizuar 4.55 miliardë lekë të ardhura dhe 19.4 milionë lekë fitim neto.

UKT sh.a. raportoi për 2025 të ardhura 1.07 miliardë lekë dhe fitim 196 milionë lekë, ndërsa një vit më parë kishte realizuar 4.9 miliardë lekë të ardhura dhe 991 milionë lekë fitim.

Autoriteti Portual Durrës regjistroi në T1 2025 të ardhura 678 milionë lekë dhe fitim neto 144 milionë lekë, duke shënuar rritje krahasuar me 2024, kur kishte pasur 3 miliardë lekë të ardhura dhe 92 milionë lekë fitim. Kjo performancë u kushtëzua nga rënia ndërkombëtare e tarifave të konteinerëve.

Ndërmarrjet me humbje

Albgaz sh.a. vijon të përballet me vështirësi, duke mbyllur tremujorin e parë 2025 me humbje 34 milionë lekë, pas të ardhurave prej vetëm 2 milionë lekësh dhe shpenzimeve 36 milionë lekë. Edhe në vitin 2024 situata kishte qenë negative, me 39 milionë lekë të ardhura dhe 103 milionë lekë humbje neto.

Albpetrol sh.a. raportoi për tremujorin e parë 2025 humbje 192 milionë lekë nga 1.3 miliardë lekë të ardhura dhe 1.5 miliardë lekë shpenzime; Ndërkohë, referuar rezultatit financiar në 2024, shoqëria u përball me disa defekte teknike në vendburimet e naftës që ndikuan në rënien e shitjeve dhe reflektuar kryesisht me rritjen e shpenzimeve të gjendjes së prodhimit në proces.

Hekurudha Shqiptare sh.a. shënoi humbje 136 milionë lekë në tremujorin e parë të 2025, me të ardhura 92 milionë lekë dhe shpenzime 228 milionë lekë, ndërsa në 2024 kishte pasur 890 milionë lekë të ardhura dhe 60 milionë lekë humbje neto, të ndikuara nga aktiviteti i kufizuar për shkak të punimeve në rrjetin hekurudhor./ekofin.al