Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nënshkruar kontratën për fazën e parë të bypass-it të Tiranës, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve. Kontrata me kompaninë 4 A-M ka një vlerë prej 3.15 mld lekë me TVSH, ndërsa parashikon ndërtimin e një segmenti prej rreth 4.5 km. Për këtë projekt rrugor ARRSH ka shpallur edhe kompaninë fituese për lotin II, një kontratë që pritet të nënshkruhet me bashkimin e operatorëve “Elmazaj Konstruksion” & “INC S.P.A”.
Gjatësia totale e bypass-it të Tiranës është 21.6 kilometra, ndërsa konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme rrugore në vend, pasi synon të lidhë drejtpërdrejt autostradën Durrës – Tiranë me atë Tiranë – Elbasan, duke shmangur hyrjen në kryeqytet.
Ndonëse përfundimi i plotë do të kërkojë tenderimin edhe për pjesën tjetër të rrugës, ndërtimi i segmentit nga Kashari në Vaqarr, që përfshin lotin I dhe II, do të shënojë përmbylljen e të gjitha segmenteve të aksit Milot–Fier, pjesë e Autostradës Adriatiko – Joniane. Kjo, pasi një nga lotet e kësaj autostrade (Kashar – Lekaj) përfshin edhe 7 nga 8.5 kilometrat e tenderuara të bypass-it.
Përtej ndikimit në qarkullim, bypass-i pritet të sjellë edhe përfitime mjedisore dhe urbane. Kjo pasi, duke shmangur kalimin e trafikut të rëndë përmes Tiranës, pritet të reduktohet ndjeshëm ndotja, trafiku i brendshëm dhe aksidentet në rrugët urbane të kryeqytetit.