Ballina Politika Zegjineja bën heroizëm në mes të gushtit, lufton vapën afrikane për t’i...

Zegjineja bën heroizëm në mes të gushtit, lufton vapën afrikane për t’i blerë birrë, oriz dhe shampo një të moshuari

73
0

Në këto ditë të nxehta ku termometri tregon shifra rekord, deputetja Zegjine Çaushi ka treguar se përkushtimi ndaj popullit nuk njeh temperaturë. Përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, ligjvënësja ndau me publikun aktin e saj më të fundit heroik: blerjen e pazarit për zotin Reshat, në mënyrë që ky i fundit t’i shpëtonte rrezeve të nxehta të diellit.

Por ajo që e bën këtë gjest një shembull të papërsëritshëm humanizmi nuk është akti i ndihmës, por përzgjedhja e kujdesshme e artikujve. Mes ushqimeve bazë si orizi dhe produkteve të higjienës si me shampon, deputetja nuk harroi të mendonte edhe për shpirtin (dhe etjen) e të moshuari, duke përfshirë në pazar edhe një birrë të ftohtë, me siguri e vetmja mënyrë efikase për të përballuar vapën dhe situatën politike në vend.

Me rastin e Ditës së Humanizmit, deputetja na kujtoi se “humanizmi nis nga gjestet e vogla”. E në fakt, çfarë mund të jetë më humane sesa ta shpëtosh dikë nga dielli duke i trokitur në derë me një pako oriz për të ngrënë, shampo për t’u freskuar dhe një birrë për të ngritur një shëndet për punët e palodhshme të parlamentit?

Mbetet vetëm të shpresojmë që deputetët e tjerë të marrin shembull dhe të ndajnë detyrat: dikush të blejë meze, dikush ujë me gaz, e kështu humanizmi t’i kapërcejë kufijtë e një pakoje të thjeshtë pazari./vna