Ballina Kronika Shpejtësia po vret më shumë në rrugë, mbi 1500 patenta pezullohen për...

Shpejtësia po vret më shumë në rrugë, mbi 1500 patenta pezullohen për shpejtësi në një javë, ekspertët kërkojnë siguri

44
0

Drejtimi i mjetit mbi limitin e shpejtësisë së rrugës dyshohet se çoi në aksidentin e mëngjesit të kësaj të mërkure ku humbën jetën 3 të rinj në Durrës.

Shpejtësia duket se është një ndër shkeljet e rrezikshme që pavarësisht ashpërsimit të masave vijon të përsëritet në shifra mjaft të larta. Top Channel ka mësuar se në vetëm një javë blutë në të gjithë vendin kanë pezulluar më shumë se 1500 patenta vetëm për këtë shkelje.

Ekspertët tregojnë se shpejtësia, shoqëruar dhe me mungesë sinjalistike, rezulton fatale.

“Shpejtësia s’i jep kohë drejtuesit të manovrojë. Ajo rrugë ka kthesa të rrezikshme. Duhet më shumë sinjalistikë”, tha eksperti Gëzim Hoxha.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve para 2 javësh ndryshuan dhe disa nene të Kodit Rrugor. Mes tyre heqja përjetë e patentës për përsëritësit e kapur me alkool, ndërsa përdorimi i celularit mund të sjellë pezullimin e patentës. Me ndryshimet e reja gjobat për manovrat e rrezikshme arrijnë në 60 mijë lekë. Megjithatë sipas ekspertëve këto masa nuk mjaftojnë.

“Pas çdo aksidenti duhet bërë një hetim i thelluar: makina, rruga, sinjalistika, drejtuesi, pastaj të hartohen rregullore e VKM”, tha eksperti Gëzim Hoxha.

Pavarësisht ndryshimeve të herëpashershme të Kodit Rrugor apo të fushatave nga Policia Rrugore për të parandaluar aksidentet, numri i viktimave në rrugë çdo vit vijon të jetë shqetësues.