Ballina Opinion Infrastruktura që vjetërohet sapo përfundon

Infrastruktura që vjetërohet sapo përfundon

36
0

Nga Shpëtim Luku

Vera është stina që i vë më shumë në provë rrugët dhe infrastrukturën shqiptare. Jo vetëm sepse në këtë periudhë rritet ndjeshëm lëvizja e automjeteve, por sepse trafiku i verës nxjerr në pah atë që gjatë pjesës tjetër të vitit mund të mos duket aq qartë: kapacitetet e kufizuara të një infrastrukture për të cilën janë investuar miliarda euro.

Autostrada Tiranë–Durrës është ndoshta shembulli më domethënës. Një nga akset më të rëndësishme të vendit, që lidh kryeqytetin me qytetin më të madh portual dhe me një pjesë të konsiderueshme të territorit, përballet çdo verë me të njëjtin realitet: radhë të gjata, trafik të rënduar dhe një infrastrukturë që duket sikur është gjithmonë një hap pas kërkesës.Por problemi nuk është vetëm sa makina mund të përballojë një rrugë. Problemi është se me çfarë vizioni e ndërtojmë atë rrugë.

Shpesh në Shqipëri infrastruktura projektohet për nevojat e sotme, ndërsa një projekt i madh rrugor duhet të projektohet për nevojat e së nesërmes. Përndryshe ndodh paradoksi që po e shohim gjithnjë e më shpesh: projekti përfundon, por infrastruktura nis të vjetërohet që në momentin kur fillon të përdoret.Pasi trafiku nuk rritet vetëm nga numri i automjeteve. Megjithëse edhe ato po rriten me numër të shfrenuar, me rreth 100 mijë regjistrime të reja çdo vit. Trafiku rritet nga popullsia urbane, nga ndërtimet, nga zhvillimi i zonave periferike, nga turizmi, nga rritja e motorizimit, nga transporti i mallrave dhe nga përqendrimi i aktivitetit ekonomik në Tiranë dhe në korridoret kryesore të vendit.

Prandaj pyetja nuk është nëse autostrada Tiranë–Durrës do të ketë nevojë për më shumë kapacitet. Pyetja është pse duhet të presim që ajo të mbingarkohet përpara se të mendojmë për kapacitetin e ardhshëm?

Madje kam përshtypjen se edhe nëse nesër autostrada do të bëhej me pesë korsi në secilin drejtim, trafiku nuk do të zhdukej. Mund të lehtësohej për një periudhë, por shumë shpejt do të shfaqeshin sërish probleme në nyjet lidhëse, hyrje-daljet, kryqëzimet, akset që ushqejnë autostradën dhe destinacionet ku përfundon gjithë kjo lëvizje.

Trafiku nuk zgjidhet vetëm duke shtuar korsi.Ai zgjidhet duke menduar të gjithë sistemin: transportin publik, hekurudhën, rrjetin sekondar, shpërndarjen e qendrave të banimit dhe aktivitetit ekonomik, parkimin, nyjet intermodale dhe, mbi të gjitha, duke parashikuar se si do të lëvizë Shqipëria pas 10, 20 apo 30 vitesh.

Në të kundërt, rrezikojmë të vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë shpesh: të investojmë shumë para për të zgjidhur problemin e djeshëm, ndërkohë që problemi i nesërm është duke u krijuar para syve tanë.Dhe vera, çdo vit, vetëm sa na e kujton këtë.