Detaje të reja janë bërë publike nga ngjarja tragjike e ndodhur këtë të hënë në Shkodër, ku dy persona humbën jetën, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur.
Gazetarja e Euronews Albania, Matilda Braho, ka thënë për emisionin Now me moderatoren Erla Mëhilli se e plagosura, e cila ishte kamariere në lokal, ka parë dy persona.
Sipas deklaratës që ajo i ka dhënë familjarëve, autori mendohet të mos ketë qenë i vetëm, por i shoqëruar edhe nga një person tjetër.
“Vajza, në momentet kur ka dalë nga operacioni dhe ka ardhur në vetëdije, ka komunikuar me familjarët e saj. Këto po i them bazuar në deklaratat e familjarëve: ajo ka parë dy persona në motor, jo vetëm një supozohet që mund të jenë dy autorë.” – tha gazetarja e Euronews Albania nga spitali i Shkodrës, Matilda Braho.
Kujtojmë se shënjestër e atentatit ishte 43-vjeçari Erogen Brajoviç, allias Vaso, i cili është anëtar i fisit të Bajrit, vëllai i Denis Brajoviç (Bajri). Nga atentati mbeti e plagosur edhe kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri. Ndërkohë, i vdekur mbeti Armando Pali, dhe Liridon Kraja (Lushi) 31-vjeç, truproja e Erogen Brajoviç. Autori 29-vjeçar, Ragip Gila u vu në pranga.