Në lidhje me ngjarjen e 8 shtatorit 2025 në Shkodër, ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë pas një sulmi me armë, kanë dalë detaje të reja mbi autorët e dyshuar.
Njëri prej tyre është Barush ose Bajram Bregu, i cili dyshohet se ka siguruar armën e krimit me të cilin kreu masakrën Ragip Gila mëngjesin e 8 shtatorit.
Personi i cili është shpallur në kërkim së bashku dhe me një 17 vjeçar, është i njohur si një nga ushtarët e Ibrahim Liçit, personi kryesor i dyshuar për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali më 30 mars të këtij viti. Bajram Bregu konsiderohet si krahu i djathtë i Liçit dhe pjesëtar i familjes Liçi, që prej më shumë se një viti janë në përplasje të hapur me grupin kriminal Bajri, pjesëtarët e të cilit u arrestuan në shtator të vitit të kaluar.
Bajram Bregu është një emër i njohur për policinë. Në vitin 2016 ai u dënua me 4 vite burg për kultivim bimësh narkotike në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje. Në vitin 2018, gjatë një operacioni policor në banesën e tij u gjet një automatik kallashnikov. Vitin e kaluar, gjatë një ndjekjeje nga policia e Shkodrës, ai u përplas me dy patrulla policie, por arriti t’i shpëtonte ndjekjes. Për një periudhë ai ishte i shpallur në kërkim deri sa u arrestua në Tiranë, në një banesë me qira në zonën e “Komunës së Parisit”.
Barush ose Bajram Bregu dyshohet të ketë ndihmuar Ibrahim Liçin në vrasjen e vëllezërve Bilali dhe në një sërë ngjarjesh të tjera kriminale. Policia e konsideron atë një person me rrezikshmëri të lartë dhe i lidhur ngushtë me veprimtaritë kriminale të Liçit.
Gjithashtu, mësohet se Bajram Bregu ka qenë i arrestuar dhe i dënuar në vitin 2019 për kultivim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje, duke u cilësuar nga organet e rendit si një nga personat më të rrezikshëm dhe të dyshuar për veprimtari kriminale të tjera.