Ballina Politika 79- vjetori i Postribës, Boçi: Fryma e kryengritjes antikomuniste na thërret sot...

79- vjetori i Postribës, Boçi: Fryma e kryengritjes antikomuniste na thërret sot më shumë se kurrë, diktatura po rikthehet e maskuar

95
0

Në 79-vjetorin e Kryengritjes së Postribës, pjesë e homazheve ishte edhe drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Shkodrës, Luçiano Boçi, njëkohësisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Boçi u ndal te mesazhi i fuqishëm që vjen nga kjo ngjarje historike, duke e cilësuar Postribën si simbol të parë të rezistencës antikomuniste, por edhe si një kujtesë e gjallë që na paralajmëron për rrezikun e rikthimit të diktaturës në forma të reja dhe të kamufluara.

Ai theksoi se sot, më shumë se kurrë, është detyrë e forcave politike të angazhuara për lirinë, që të mos lejojnë deformimin e historisë dhe të mos mjaftohen me kurora e fjalime, por të çojnë përpara idealet për të cilat u derdh gjaku i të parëve tanë.

Në një kohë kur drejtësia është kapur, opozita sulmohet, dhe e vërteta censurohet, Boçi u shpreh se fryma e Postribës duhet të kthehet në udhërrëfyes për të gjithë ata që besojnë ende tek demokracia dhe shteti i së drejtës.

Pjesë nga deklarata:

Si dëshmitare të kësaj historie të lavdishme, ku burra dhe gra të egër u ngritën kundër poshtërimit, diktaturës, dhe gjithmonë saktësohesh ti kupton që këta burra e gra nuk kanë nevojë vetëm për elozhe. Jo, ata kanë nevojë për sinqeritet, besim dhe besë që ne, që merremi me politikë, merremi me interesin e publikut, ta çojmë përpara atë që këta burra nisën dhe atë që ende nuk ka përfunduar, por është rikthyer në një formë të kamufluar.

Ne jemi dëshmitarë të saj dhe e kuptojmë mirë që historia nuk është thjesht një shabllon, nuk është një muze i mbyllur është zë, ajër, ekzistencë. Këtu mikpritja nuk është thjesht një zakon është besë. Dhe këtu kujtesa historike nuk të rëndon ndërgjegjen, madje të kthjellon mendjen, arsyen dhe shpirtin.

Të dashur miq, ne duhet ta dimë mirë që Postriba nuk është thjesht faqe historie dhe krenarie është edhe një manual qëndrese, besë dhe burrërie. Një manual i shpirtit të pathyeshëm malësor, burrave dhe grave që duan lirinë dhe Shqipërinë. Është një manual i shkruar me gjak, me sakrifica, me akte heroike. Prandaj ne duhet ta vazhdojmë bashkë qëllimin dhe sakrificën e atyre burrave.

Në shtator të ’46-ës, kur propaganda u shpall si e vërtetë dhe frika u bë rend nga regjimi, banorët e Postribës u ngritën. Ata nuk kishin kushte, s’kishin privilegje, as garanci, ama kishin ndërgjegjen e tyre dhe kjo u mjaftoi atyre. Ata zgjodhën rrugën e drejtë kundër poshtërimit, kundër diktaturës, dhunës. Luftuan për dinjitet. Ata deshën që fëmijët e tyre të mos ishin të nënshtruar dhe qëllimi i tyre ishte të marshonin në Shkodër. Kryengritja vërtet dështoi, por ama akti i tyre guximtar është i përjetshëm.

Të dashur miq, demokratë e antikomunistë, ne duhet të jemi të vetëdijshëm që Postriba nuk është thjesht një përkujtim. Postriba nuk është vetëm një fotografi e të shkuarës – sot jemi edhe para ndërgjegjes sonë. Historia është se çfarë do të bëjmë edhe ne sot, sepse historia ka progresin dhe pjesëmarrësit e saj, ka heronj. Duhet ta dimë mirë që vetë Postriba, e ndërtuar me frymën e revoltës, që u bë vendi i shenjtë i qëndresës, rezistencës, na thërret. Ata burra nën dhe dhe ata mbi dhe na pyesin: çfarë do të bëjmë ne sot?

Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë si ata burra. Nuk na mjafton të përmendim emra e të vendosim kurora. Ne duhet të rivendosim drejtësinë dhe piedestalin e merituar për këto burra dhe gra.