Kryeministri Edi Rama shpalli ditën e sotme në Asamblenë e PS, kabinetin e ri qeveritar për mandatin e katërt qeverisës, me 17 ministri, ku një prej të cilave do të jetë ministre virtuale.
Lidhur me këtë avokati Spartak Ngjela, i ftuar ditën e sotme në një studio televizive, tha se mungesa e opozitës i ka dhënë kryeministrit Rama avantazhin që të zgjedh në krye të ministrive emrat që ai dëshiron.
‘Nuk flasim dot paraprakisht për ministrat e rinj, sepse duhet parë se si do të punojë. Nuk ka konkurrencë këtu sepse partia tjetër nuk ekziston. Partia tjetër e ka kryetarin non grata në Amerikë. Duke mos pasur një opozitë Rama nuk ndjen frikë. Kjo i jep mundësinë kryeministrit që të promovojë çfarë të dojë për të ardhmen. Kush do ti pengojë, këtu s’ka opozitë. Ata janë absolut, nuk pyesin asnjë njeri. Rama zgjedh kë të dojë sepse nuk ka konkurrëncë’, tha ai.
Teksa u ndal tek futja e deputetëve të PD në Kuvend edhe pse Berisha nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit, ai tha se ata nuk duhet që të shkonin në Kuvend. Avokati tha se opozita ka folur për manipulim të zgjedhjeve, por nuk kanë paraqitur prova.
‘Kjo është një kontradiktë, sepse ai thotë si njoh zgjedhjet. Ai që është politikan nëse nuk njeh zgjedhjet ai nuk hyn në Parlament. Kurse ky nuk njeh zgjedhjet dhe hyn, pse del jashtë doktrinës. Pse do të shkojë në Parlament sepse do të fitojë privilegjet e tij. Hiqet sikur po mbron partinë e tij, sikur janë vjedhur votat. Ai thotë janë manipuluar zgjedhjet për t’ja treguar këtë mbështetësve të tij që të mos iki nga posti i kryetarit të partisë. Ai humbi zgjedhjet dhe duhet që të iki. Nëse thua më kanë manipuluar zgjedhjet duhet të paraqesësh provat dhe ti çosh në një gjykatë dhe vendimi i gjykatës rrëzon zgjedhjet. Ka një rregull humbi zgjedhjet duhet që të largohet’, tha ai.
Lidhur me zgjedhjet e parakohshme lokale në 6 bashkitë e vendit, Ngjela tha se PD nuk merr dot asnjë bashki.
‘Nuk merr dot asgjë, sondazhet i ka të ulëta. Tiranën nuk e merr dot PD. Politika është bipolare partitë e tjera janë jashtë rregullit të demokracisë perëndimore. Është dy partiake demokracia. Dy parti janë në të gjithë botën, dy janë edhe këtu’, tha ai.
Një koment e pati edhe për protestat që janë paralajmëruar nga Berisha.
‘Nuk vjen pushteti me protesta, por vjen me vota. Kjo është demokracia. Çfarë do bëjë me protesta ai, do bëjë revolucion. Zgjedhjet fitohen me vota dhe jo me protesta. Një vend i NATO-s nuk mund të bëjë një revolucion. Le të bëjë protesta, do flasi atje dhe do iki sërisht, është diçka normale për një demokraci’, tha ai.